Demi paralajmëron: Nëse deri në shkurt nuk ka Qeveri, rrezikohet buxheti dhe ekonomia e Kosovës

Kosova hyn në vitin 2026 me pritje për institucione të reja dhe me pritshmëri të larta për stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik.

Në “Përballje Podcast”, analisti i politikave Agron Demi ka folur për gjendjen ekonomike të vendit, prioritetet që e presin Qeverinë e re dhe rreziqet që mund ta shoqërojnë vitin 2026 nëse nuk ka ndryshim qasjeje.

Demi vlerëson se proceset zgjedhore tashmë kanë përfunduar, por sfida kryesore mbetet faza paszgjedhore dhe funksionalizimi i institucioneve.

Sipas tij, formimi i shpejtë i Kuvendit dhe Qeverisë është parakusht për stabilitet ekonomik.

“Nëse tejkalohet shkurti pa u konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, mund të rrezikohen linjat buxhetore dhe të krijohen pengesa serioze financiare”, tha ai.

Fokusi kryesor për vitin 2026, sipas Demit, duhet të jetë zhvillimi ekonomik.

Ai theksoi se vitet e fundit janë karakterizuar nga vendime të përkohshme dhe mungesë e projekteve zhvillimore afatgjata.

“Ka pasur shumë vendime ad-hoc dhe shpërndarje të mjeteve buxhetore, por investimet kapitale, që dikur ishin shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, kanë rënë në plan të tretë”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.

Në këtë kontekst, ai vlerëson se buxheti i vitit 2026 duhet të ketë karakter më zhvillimor.

Sipas tij, rritja e shpenzimeve për paga dhe skema sociale nuk mjafton për të nxitur rritje ekonomike afatgjatë.

“Nëse nuk rikthehet fokusi te investimet kapitale dhe projektet infrastrukturore, do të jetë e vështirë të flasim për zhvillim real ekonomik”, theksoi ai.

Demi foli edhe për marrëveshjet dhe fondet ndërkombëtare, duke përmendur Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.

“Kosova nuk ka arritur të përfitojë nga fondet e garantuara prej BE-së, ndërsa një pjesë e tyre rrezikon të humbet nëse nuk ka veprime të shpejta institucionale”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe për zbatimin e agjendës së gjelbër.

Sa i përket gjendjes sociale, Demi theksoi se inflacioni dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës.

“Rritja e çmimeve, deficiti tregtar dhe varësia nga importet vazhdojnë të jenë sfida serioze për ekonominë e Kosovës”, u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e matjeve të rregullta të varfërisë e bën më të vështirë adresimin e problemeve reale.

Në fund, Demi vlerësoi se viti 2026 duhet të shënojë një orientim më të qartë drejt reformave strukturore, digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër.

“Dhjetëvjeçari i ardhshëm do të jetë periudhë e tranzicionit digjital dhe energjetik. Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë me politika të vjetra në një realitet që po ndryshon shpejt”, përfundoi ai.

Sipas Demit, mënyra se si Qeveria e re do ta adresojë buxhetin, investimet kapitale dhe fondet ndërkombëtare do të përcaktojë në masë të madhe nëse viti 2026 do të jetë vit stabilizimi apo vit i humbur për zhvillimin ekonomik të Kosovës.