Pas reshjeve të shiut dhe breshërit të ditës së djeshme në Komunën e Rahovecit janë raportuar dëme të mëdha, shkruan Fokusi.info.
Shiu i rrëmbyeshëm, i shoqëruar nga breshëri, ka lënë pas vete dëme të konsiderueshme si në hapësirat bujqësore, duke dëmtuar kultura të ndryshme bujqësore (përfshirë edhe vërshimin e serrave), ashtu edhe dëmtimet në objektet e banimit dhe ato afariste.
Lidhur me dëmet e shkaktuara, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi përmes rrjetit social “Facebook” ka shkruar se së bashku me ekipin komunal, jemi në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara.
“Që nga orët e hershme të mëngjesit, së bashku me ekipin komunal, jemi në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga reshjet e dendura që ndodhën dje.
Sot kam vizituar fshatin Pataqan i Poshtëm, një nga vendbanimet më të dëmtuara nga shiu i rrëmbyeshëm.
Komuna do të vazhdojë t’i qëndrojë afër qytetarëve të prekur nga vërshimet, me të gjitha kapacitetet, në mënyrë që dëmet e shkaktuara të sanohen!”, ka shkruar Latifi.