Dembélé për “Topin e Artë”: Është “Graali i Shenjtë” i futbollit. Unë mes favoritëve? Krejt normale…

Pas dy muajsh do të mësojmë emrin e fituesit të “Topit të Artë” 2025. Mes pretendentëve kryesorë për ta pasuar Rodrin është pa dyshim Ousmane Dembélé. Sulmuesi i PSG vjen nga sezoni më i mirë i karrierës së tij: 33 gola, 15 asiste në 49 ndeshje zyrtare dhe mbi të gjitha 5 trofe të ngritur lart, mes tyre edhe Champions League e shumëpritur për klubin parizien. Shifra që e kanë vendosur përfundimisht në elitën e futbollit botëror.

I intervistuar nga podcasti “ForForTwo”, francezi nuk e fshehu se ky çmim është objektiv i madh: “Para finales së Champions-it, njerëzit bërtisnin ‘Ousmane, Topi i Artë’. Sidoqoftë, ne ishim të gjithë të përqendruar te skuadra dhe arritja kolektive.

Për një vlerësim individual, megjithatë, nuk ka asgjë më të madhe. ‘Topi i Artë’ është ‘Graali i Shenjtë’ i futbollit (Graali, term që vjen nga legjendat mesjetare dhe lidhet me kupën që, sipas traditës së krishterë, Jezusi përdori gjatë Darkës së Fundit). Mjafton të shohësh legjendat që e kanë fituar, diçka e jashtëzakonshme. Pas një sezoni të tillë, me 4 trofe dhe kaq shumë gola e asiste, është normale të jem mes favoritëve”.

Fjalët e tij tregojnë ambicien e një lojtari që më në fund ka arritur pjekurinë, duke kombinuar talentin me vazhdimësinë. Etiketa e “premtimit të përjetshëm”, që e shoqëroi gjatë viteve më të vështira të karrierës, tashmë duket një kujtim i largët.

Sot Dembélé është lider teknik i PSG-së dhe i kombëtares franceze, gati për të trashëguar stafetën e të mëdhenjve. Numri 10 i parizienëve mundet vërtet të ëndërrojë që emri i tij të shkruhet krah Messit, Cristiano Ronaldos dhe ikonave të tjera të futbollit botëror.

 

The post Dembélé për “Topin e Artë”: Është “Graali i Shenjtë” i futbollit. Unë mes favoritëve? Krejt normale… appeared first on Telesport.