Ousmane Dembélé kundër Lamine Yamal. Më pak se një muaj nga ceremonia e Parisit, ku do të jepet “Topi i Artë” 2025, vëmendja është e gjitha te dy favoritët e mëdhenj: sulmuesi francez, protagonist absolut me PSG, dhe ylli i ri i Barcelonës.
Ish-lojtari blaugrana duket pak më përpara në këtë garë, i mbështetur nga triumfi në Champions League, trofe që shpesh peshon shumë në zgjedhjet e jurisë së “Topit të Artë”. Yamal, megjithatë, ka magjepsur Europën me paraqitjet e tij prej ylli të paracaktuar, duke u bërë simboli i epokës së re të Barçës vetëm në moshën 18-vjeçare.
Për ta intriguar më shumë këtë duel mendoi Sergio Busquets, zë autoritar i futbollit spanjoll, legjendë e katalanasve. I pyetur për fituesin e mundshëm të “Topit të Artë” 2025, mesfushori aktual i Inter Miami nuk pati dyshime:
“Dembélé ka qenë më i mirë se të tjerët dhe më i qëndrueshëm. E dimë çfarë lojtari është, diferencën që mund të bëjë dhe çfarë është në gjendje të ofrojë. Edhe disa djem të Barcelonës do ta meritonin, por nuk e di çfarë do të vendosin ata që votojnë”.
Fjalë që peshojnë, sidomos duke marrë parasysh lidhjen e fortë të Busquets me ambientin katalanas. Një pozicionim që reflekton njohjen ndërkombëtare për sezonin e nivelit më të lartë të Dembélé, i aftë të bashkojë talentin dhe vazhdimësinë, dy cilësi që shpesh i kishin munguar në të kaluarën. Vendimi përfundimtar do të vijë pas pak javësh, por ndjesia është se gara për “Topin e Artë” 2025 do të jetë një nga më të fortat e viteve të fundit.
The post Dembélé apo Yamal? Befason Busquets, “voton” për atë që e meriton “Topin e Artë” 2025 appeared first on Telesport.