Deliu: Jo vetëm Basha, por edhe shumë eksponentë të VV-së kanë baltosur UÇK-në

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se si parti nuk janë pishman që kanë votuar Dimal Bashën për kryekuvendar, pasi sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur fjalën që do të votojë pro çdo kandidati që s’ka qenë ministër në Qeverinë Kurti.

Në emisionin “Kosova Today”, ajo foli edhe për artikullin anti-UÇK me bashkautor Bashën, ku Deliu-Kodra tha se nuk është vetëm kryekuvendari që ka baltosur luftën çlirimtare, por sipas saj, ka shumë ministra e eksponentë të lartë të VV-së që e kanë bërë po të njëjtën gjë, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk është vetëm Dimal Basha ai që e ka baltosur luftën tonë çlirimtare, figurat tona që kanë qenë udhëheqës, krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju tashmë i dini deklaratat e ministrave dhe eksponentëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë vazhduar ta baltosin atë që është vlera jonë jetike”, u shpreh Deliu-Kodra.

Deputetja thotë se kur figurat e UÇK-së që po gjykohen në Hagë baltosen e cenohen, sipas saj, është diçka e pafalshme.