Del Piero dhe idhujt e tij: Vialli ishte referencë, por e shihja veten te Baggio

Ditët e fundit u publikua episodi i parë i produksionit origjinal të “Sky Sport”, “1996, viti i Del Pieros”, që rrëfen simbolin e Juventusit përmes pamjeve të shpërthimit të talentit të tij, dëshmive të profesionistëve dhe gazetarëve, si edhe komenteve të vetë Alex.

Duke kujtuar fillimet në Torino, “Pinturicchio” foli për pikat e referencës në rrugën drejt majës: “Vialli ishte pika ime e referencës për karizmën dhe mënyrën e të qenit sulmues, por unë e shihja veten te Baggio për rolin që doja të kisha, duke qenë se u rrita në vitet e Platini, Zico dhe Maradona”.

Me “bishtalecin hyjnor” ndante origjinën nga Veneto dhe dialektin në stërvitjet e para: “Të flisja në dialektin veneto me Roberton më bënte të ndihesha si në shtëpi. Ai më trajtonte si të rritur, por më mbronte si djalë”.

Del Piero foli edhe për rritjen e talenteve sot: “I riu duhet të krijojë kushtet për t’u ndihmuar. Gjithçka fitohet me djersë, mësohet dhe meritohet. Disa gjëra i lejon vetëm pasi i ke dëshmuar”.

The post Del Piero dhe idhujt e tij: Vialli ishte referencë, por e shihja veten te Baggio appeared first on Telesport.