Deklarimi kontradiktor i Ramës për veturën Tesla

Deklarimet e pasurisë së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, po shfaqin dallime që lënë vend për dyshime mbi saktësinë dhe seriozitetin me të cilin ato bëhen. Rasti i veturës së tij Tesla është ilustrues, shkruan Demokracia.com.

Në dokumentet e dorëzuara në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), vlera e saj është ndryshuar disa herë, ndonëse bëhet fjalë për të njëjtin automjet.

Në deklarimin e parë, të dorëzuar në vitin 2022, pak muaj pasi kishte marrë detyrën e kryetarit të kryeqytetit Përparim Rama kishte shënuar se Tesla ishte blerë me çmim prej 83 mijë eurosh.

Megjithatë, në deklarimet pasuese të vitit 2023 dhe 2024, për të njëjtën veturë ai ka deklaruar një shumë dukshëm më të ulët, prej 65 mijë eurosh.

Edhe në deklarimin e vitit 2025, vlera e saj është shënuar sërish si 65 mijë euro.

Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, zyrtarët publikë janë të obliguar të deklarojnë çmimin e blerjes së pasurisë së luajtshme, të përcaktuar sipas kontratës, faturës apo dëshmisë së transaksionit, e jo vlerën aktuale të tregut. Qëllimi i këtij obligimi është krahasimi i të ardhurave me shpenzimet reale të zyrtarëve, për të garantuar transparencë dhe për të shmangur dyshimet për pasuri të pajustifikuara. /Demokracia.com/