Deklarimet e Albin Kurtit për Thaçin e Veselin, Gjykata Speciale: S’ndikohemi nga politika e komentet publike

Deklarimi i kryeministrit në detyrë dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, se Thaçi e Veseli vazhdojnë të japin instruksione politike nga paraburgimi në Hagë për zhvillimet në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta. Megjithatë për Hagën deklarime të tilla s’çojnë peshë, shkruan Gazeta Express.

Besnik Velija

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, në një përgjigje për Gazetën Express lidhur me këtë çështje, ka thënë se Dhomat e Specializuara janë të fokusuar në implementimin e mandatit, duke siguruar gjykimet të drejta, të paanshme dhe të sigurta.

Griep po ashtu ka sqaruar se Gjykata Speciale s’ndikohet nga zhvillimet politike dhe komentet publike dhe ka thënë se s’komentojnë mbi to.

“Dhomat e Specializuara janë një gjykatë që është plotësisht e përqendruar në zbatimin e mandatit të saj për të siguruar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, pavarësisht zhvillimeve politike apo komenteve publike. Ne nuk komentojmë deklarata politike”, ka thënë Griep për Gazetën Express.

Sa i përket rregullave në qendrën e paraburgimit në Hagë, Griep ka thënë se ato janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar me të drejtat e njeriut dhe se personave që ndodhen në paraburgim iu ofrohen mjete të arsyeshme për të mbajtur lidhjet me anëtarë te familjes apo persona të tjerë përmes vizitave, telefonit apo edhe letrave.

“Rregulloret që rregullojnë Qendrat e Paraburgimit janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht dhe u ofrojnë të paraburgosurve mjete të arsyeshme për të mbajtur marrëdhënie personale me anëtarët e familjes dhe persona të tjerë përmes vizitave, telefonatave dhe korrespondencës. Kufizimet në vizitat dhe komunikimet midis të paraburgosurve dhe personave të tjerë vendosen vetëm me qëllim sigurimin e sigurisë dhe rendit të mirë në qendrën e paraburgimit; për të parandaluar çrregullimet ose krimin; ose për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e të tjerëve”, ka thënë ajo.

Për të njëjtën temë Express dje ka kontaktuar edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar por që të njëjtit s’kanë pranuar që të komentojnë për deklarimet e Kurtit.

Koment s’ka pasur as avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Misetic./GazetaExpress/