Behgjet Pacolli ishte paraqitur para spektrit politik kosovar si emisar i ish-presidentit rus Boris Jelsin në kulmin e luftimeve më 1998, menjëherë pas masakrave të tmerrshme në Prekaz dhe Qirez, dëshmuan dy politikanët Veton Surroi dhe Blerim Shala në një bashkëbisedim me njëri-tjetrin.
Në podcastin “Pikë” të udhëhequr nga Surroi, të transmetuar të dielën në Kohavision, dy politologët kosovarë rrëfyen përfshirjen e biznesmenit Pacolli në kohën e luftës më 1998 në Kosovë.
Pacolli kishte në Kosovë në marsin e vitit 1998 si i dërguar special i Boris Jelsinit, presidentit rus të kohës, dëshmuan dy politikanët. Ai i kishte prezantuar një ofertë spektrit politik kosovar dhe kishte kërkuar takim me Ibrahim Rugovën, asokohe presidentin e Kosovës.
“Pastaj pati ndodhur edhe një ofertë tjetër.. pati ardhur Pacolli”, rrëfeu Surroi në podcastin “Pikë”.
Blerim Shala dëshmoi se Pacolli kishte mbërritur në Kosovë nga Beogradi.
“Po, kam marrë vesh më vonë prej profesor Ferid Aganit – i cili ka qenë mjek i babait të Pacollit.. edhe Mahmuti [Bakalli, v.j] na ka treguar pastaj që as mish as peshk. Ai ma s’pari ka thënë që ka ardhur direkt nga Moska, pastaj është marrë vesh që ka ardhur nga Beogradi”, tregoi Shala.
Mbërritjen e Pacollit nga Beogradi në Prishtinë, në kulmin e luftimeve në Kosovë, e konfirmoi edhe Surroi.
“Ai ka shku nga Moska në Beograd, sepse atëherë kanë qenë të mbyllura aeroportet. Edhe rusët kërkojnë që të hapet aeroporti, e kërkojnë nga amerikanët, sepse Jelsini e dërgon Pacollin si emisar të vetin”, tha Surroi.
Megjithatë, oferta e Pacollit si emisar special i Jelsinit u refuzua nga lidershipi kosovar, pohoi Surroi.
“Jo, mua të nesërmën më thirri Mahmuti – i cili ka pasur një raport të veçantë me Pacollin. Më thërret Mahmuti dhe më thotë ‘ka ardhur Pacolli me porosi të Jelsinit dhe ka kërkuar që të takohet me Ibrahimin [Rugovën]’. Më tha që oferta është kjo: të shkohet në Beograd që të mos ketë ndërmjetës në takim dhe që Rusia të qëndrojë prapa çdo marrëveshje të cilën ju e arrini aty”, dëshmoi Surroi. “Mahmuti më tha: i thash Pacolli që s’ke me u taku me Ibrahimin, çka ke me na tregu, na trego ne.. kjo nuk shkon. Mahmuti e ka prerë një natë më herët”.










