Kadri Rexhepi që u dëgjua në disa video duke i thënë një biznesmeni se Kadri Veseli i ka marrë paratë e tij, tash thotë se nuk e ka njeh kryeparlamentarin. Megjithatë në incizimet e reja që janë publikuar ai flet goxha gjatë duke e cituar se cka i ka thënë personalisht Veseli.
Më poshtë gjeni deklaratat kundërthënëse të Kadri Rexhepit rreth lidhjeve të tij me kreun e PDK’së.
Kadri Rexhepi nga Ferizaj u bë i njohur pasi u pa në disa video ku po ndërmjetësonte në emër të Rrahim Hashimit, të dyshuarit për fajde, dhe biznesmenit Faton Dalladaku, shkruan Gazeta Express.
Në video Rexhepi po dëgjohej teksa i thoshte Dalladakut se “200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli”. Sipas asaj që thoshte Kadri Rexhepi, paratë që i ishin marrë Dalladakut, i ishin dhënë kreut të PDK’së.
Sot për Televizionin 7, Rexhepi thotë se nuk e njeh personalisht dhe nuk është takuar asnjëherë me Veselin dhe se është mashtruar nga Rrahim Hashimi.
“Shkum te Fatoni [Dalladaku] tha s’kom pare. Paret ia ka marrë njëherë 100 edhe njëherë 100 mes bankës. Mua mu ka betu [Hashimi] që ia ka dhënë Kadri Veselit. Mu mu ka betu që në dy djem se me Kadri Veselin po bisedon për më thojke se ai s’i merr prej teje”, ka thënë Rexhepi sot për T7.
Në videot e publikuara nga KTV’ja, Rexhepi dëgjohej duke treguar se si kryeparlamentari paratë. Për këtë ai thotë se vetëm ka përcjell fjalët që i ka thënë Rrahim Hashimi.
“Mu ka betu që ia ka dhanë Kadri Veselit”, ka shtuar Rexhepi.
Thoshte se me Rrahim Hashimin i ka njoftuar ish-zyrtari i lartë i PDK’së, Shukri Buja.
Mirëpo, sipas një videoje të re që u publikua sot (e enjte), Rexhepi e demanton vetën. Në incizim disa minutesh, ai dëgjohet duke i treguar biznesmenit Dalladaku se cka i ka thënë personalisht Veseli.
“Kush të tha, Kadri Veseli”, e pyet Dalladaku Rexhepin.
Rexhepi pohon se vetë Veseli.
“Kadri Veseli, pasha krytë, kënd kam…”, i thoshte Rexhep Kadri, biznesmenit që i kërkonte paratë e tij.
Tutje Dalladaku e pyet “A ta merr mendja që kanë me i kthy paret nesër?”.
“Ai m’ka thanë mu moti… Mos t’i shkon menja. Ai çdo herë thotë dyfishi, çdo herë thotë dyfishi…Boni tha të fala, kurrgjë nuk hup, spitali ka me kanë i Faton Dalladakut edhe doktorit, në qoftë se është gjallë Kadri Veseli. Që vdes, tha, pa u ba, tha hajde “pshurrëm” në varr, nëse nuk e kry qit punë. Tha, thuj, bani të fala që hala ka me u tregu Kadri Veseli ndaj teje e Fatonit”, dëgjohet duke thënë Kadri Rexhepi.
Ndryshe, kjo histori nisi pasi u arrestuan pesë persona nën dyshimet se kishin kryer fajde, mashtrim e krim të organizuar. Të arrestuarit ishin, Ismet Osmani i njohur si Curri, Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqanidhe Rrahim Hashimi. Ky i fundit ppo mbrohet në liri.
Tutje dolën skandale e lidhje të politikanëve me disa prej të arrestuarve.
Hashimi akuzohej nga biznesmeni Faton Dalladaku se e ka mashtruar dhe i ka marrë para për t’iu mundësuar ndërtimi i një spitali privat të zemrës.