Deklarata e Trumpit, Çitaku: Kurtit s’i bëhet vonë, bota po ndryshon vazhdimisht

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka theksuar se Kosova po përballet me sfida të reja në një botë që, sipas saj, po ndryshon me ritme të shpejta. Ajo ka përmendur se lidershipi i vendit duhet të jetë më i kujdesshëm në ruajtjen e partneriteteve ndërkombëtare, sidomos me vendet që historikisht kanë ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Kosova duhet të jetë e gatshme të përballet me një botë që është duke ndryshuar vazhdimisht”, u shpreh Çitaku, duke shtuar se qeveria aktuale po dëmton këto marrëdhënie jetike.

Në vazhdim të deklaratës së saj, Çitaku kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se nën udhëheqjen e tij Kosova është përballur me sanksione ndërkombëtare për herë të parë në 26 vite.


“Fatkeqësisht deputetit Albin Kurti, nuk i bëhet vonë. Këto institucione kanë sjellë Kosovën në sanksione, pas 26 vitesh Kosova është në sanksione nga vendet që Kosovën e kanë ndihmuar në liri dhe procesin e pavarësisë”, tha ajo.

Çitaku gjithashtu kujtoi disa nga arritjet e rëndësishme të Kosovës gjatë kohës kur administrata e parë e presidentit amerikan Donald Trump ishte në pushtet.

“Me administratën e parë Trump, Kosova ka bërë transformimin e mandatit të FSK-së në ushtri si dhe kemi marrë njohjen nga Izraeli”, kujtoi Çitaku, duke aluduar se ato suksese nuk po vazhdojnë më me qeverinë aktuale. /Reporteri.net/