Deklarata e Limajt për VV-në, Gashi: Dëshiron ta rrisë pazarin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për mundësinë e hyrjes në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e tjera pas zgjedhjeve.

Lidhur për këtë, Kenan Gashi nga rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, thotë se Limaj këtë e ka për ta rritur angazhimin e opozitës.

“Karakteri i Fatmir Limaj në lider është që shpeshherë di të bëjë matematika. Është njohës i mirë i rrethanave, me të cilët krijon dhe zhvillon hapa shumë më të shpejtë se sa liderët e tjerë. Por, parimisht besoj që e ka vetëm për të rritë angazhimin e opozitës nëse opozita e bënë koalicionin, dhe jo për diçka që ai mund të jetë bashkërisht me Albin Kurtin në një qeveri të tillë”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Gashi beson se një deklaratë e tillë e Limajt ka për qëllim “për ta rritur pazarin” në opozitë, si dhe për të marrë pozita në ekzekutiv.

“Por besoj që e ka për të rritur pazarin e tij në opozitë. Për të rritë mundësinë për të marrë pozita në ekzekutiv. Ai nuk e ka problemin që do të futet me VV-në, por e ka problemin që partitë në opozitë mund të mos llogaritë aq shumë në nivelin e përbërjes së tillë dhe duke i kërcënuar në një formë që mund të bashkëpunojë e të krijojë një raport ose një bashkëpunim që mund t’i ndihmojë kryeministri për vendin dhe kjo është natyra e tillë… ai ka shprehur një mundësi që mund të ketë mundësi të bashkëpunimit, por jo të jetë pjesë e tillë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Limaj potencoi se Nisma dhe AAK-ja janë dy parti të ndara dhe se bashkëpunimi i tyre nuk është i domosdoshëm në çdo vendim politik.