Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk ka ndërruar emri”, tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari.
Dehari po ashtu tha se nuk ka thirrur asnjë takim konsultativ me partitë politike para vazhdimit të seancës konstituive, e caktuar për të premten në ora 10:00.
“Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan”, tha Dehari.
Partitë politike kishin mbajtur një takim konsultativ para se të fillonte seanca konstituive të mërkurën, por në këtë takim nuk ishte arritur një marrëveshje politike se si të zhbllokohet procesi për përmbylljen e konstituimit të legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në seancën e së mërkurës, Albulena Haxhiu nga LVV-ja, nuk arriti për herë të tretë që t’i sigurojë 61 vota për postin e kryeparlamentares.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), votuan kundër zgjedhjes së Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan.
PDK-ja dhe AAK-ja po i kërkojnë LVV-së ta ndërrojë kandidaten duke e konsideruar Haxhiun si figurë jounifikuese.
Të premten është tentimi i gjashtë për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit, që nisi më 15 prill.
Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive mund të vazhdojë jo më larg se 48 orë nga ndërprerja, pa kufizime se sa vazhdime mund t’i ketë.
Kuvendi konsiderohet i konstituar vetëm pasi të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët.