Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 13,6% në muajin shkurt 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 451,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 397,4 milionë euro në vitin 2024.
Pavarësisht retorikës së qeverisë për stimulimin e prodhimit vendor dhe zgjerimin e kapaciteteve eksportuese, të dhënat tregojnë të kundërtën: eksportet janë në rënie, ndërsa importet janë rritur në mënyrë të ndjeshme.
Ky trend jo vetëm që dëmton prodhuesit vendas, por gjithashtu rrit varësinë ekonomike të vendit nga mallrat e huaja, duke ndikuar negativisht në bilancin tregtar dhe në qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik.
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 13,6% në muajin shkurt 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 451,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 397,4 milionë euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 13,0%, shkruan Demokracia.com.
Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2025 kishte vlerën 67,3 milionë Euro, ndërsa importi 518,6 milionë euro, që është një rënie prej (-4,3%) për eksport, si dhe një rritje prej 10,9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Qarkullimi e mallrave në tregtinë e jashtme
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili, etj.
Eksportet sipas sektorëve të grupeve kryesore në vlerë
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 16,8% e përbëjnë produktet minerale; 11,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,6% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.
Importet sipas sektorëve të grupeve kryesore në vlerë
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 24,5 milion Euro, ose rreth 36,5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,7%), Holanda (3,6%), Italia (3,5), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 229,1 milion Euro, ose 44,2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5,4%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (6,4%), Greqia (3,3%), etj.
Eksportet dhe Importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28,9 milion Euro, ose 43,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 1,2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (15,6%), Maqedonia e Veriut (15,0%), Serbia (5,7%), Mali i Zi (5,2%).
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 83,4 milion Euro, ose 16,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9,0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (7,0%), Shqipëria (5,2%), Serbia (2,8%).
Eksportet dhe Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 13,8 milion Euro, ose 20,5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,5%) dhe SHBA (2,5%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 206,1 milion Euro, ose 39,8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,5%) dhe Kina (9,9%)/Demokracia.com/.