“Defender Europe 2025”, FSK do të ketë qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se pos komandës së Divizionit 28 të këmbësorisë së ushtrisë së ShBA-së, në Zonën e Trajnimit në Babaj të Bokës, njësiteve të FSK-së iu bashkëngjiten edhe njësi ushtarake të Gardës së IOWA, njësi dhe personel nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Kjo është në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare “Defender Europe 2025”.

Në një postim në Facebook, Maqedonci ka deklaruar se pjesa e ushtrimit që zhvillohet në Kosovë do të zgjasë deri më 9 qershor dhe do të zhvillohet në pjesën perëndimore të vendit.

Ai shtoi se gjatë këtij ushtrimi njësitë e FSK-së po zhvillojnë operacione sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit.

Sipas tij, në ushtrim përveç tjerash do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera dhe që po vazhdojnë të blihen.

“Republika e Kosovës dhe institucionet e saj po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse që kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë”, ka shkruar Maqedonci.