Deda: Qeveria e re duhet të ketë qasje tjetër ndaj Amerikës – s’ka më kohë për popullizëm

Analisti politik, Ilir Deda, ka thënë se Administrata Trump është alergjike ndaj qeverive të majta dhe se Kosova do të paguajë një lloj çmimi nëse ‘zhagitet’ procesi i krijimit të qeverisë së re.

Deda tha se Kosova është e izoluar dhe e prishur me Perëndimor e po ashtu i ka humbur mundësitë e vitit të kaluar nga Administrata Biden, mundësi të cilat Deda tha se nuk do të kthehen prej Administratës Trump.

“Neve na duhet një qeveri tjetër e cila duhet në vetvete do të jetë e pamjaftueshme, e cila duhet ta mobilizojë të gjithë potencialin brenda Kosovës, miqtë që i kemi jashtë dhe ta krijojmë politikën më të mirë të mundshme, shpejt, që të jemi karshi Shteteve të Bashkuara”.

“Cilado qeveri që të formohet duhet të ketë qasje tjetër ndaj ShBA-ve dhe vendeve të BE-së, së pari ndaj ShBA-ve në qoftë se duam të mbesin në çfarëdo ombrelle të garantimit të sigurisë. KFOR-i amerikan është garancë e sigurisë së Kosovës”, tha Deda në Rubikon në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se qeveria e re duhet shpejt t’i kryej detyrat e shtëpisë dhe sipas tij, Kosova nuk ka më kohë për popullizëm, teksa shtoi se ky vit do të jetë vit i vendimeve të shpejta.

“Qeveria e re duhet shpejt t’i kryej detyrat e shtëpisë, e ne s’po i kryejmë detyrat e shtëpisë. Këtu nuk ka më kohë për popullizëm. Ky do të jetë vit i vendimeve të shpejta, Kosova duhet të marrë vendime të shpejta dhe paradigma në Ballkanin Perëndimor po ndërron”, tha ai.