Opinionisti Ilir Deda, ka thënë se nuk e di nëse vendi ka nevojë për parti të reja, por shton se i vlerëson reformat që disa parti politike, si PDK e LDK, i kanë bërë viteve të fundit.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se krerët e këtyre dy partive, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku, nuk e pranojnë diktatin e Albin Kurtit, gjë të cilën ai tha se e vlerëson te ta.
“I jap vlerësimin e reformës që e kanë marrë njerëzit e brezit tim politik te PDK dhe LDK. Për bllokadën në Kuvend është një përgjegjës, dhe ai është Albin Kurti. Partitë e ish-opozitës i kuptoj, sepse ata nuk duan diktat. Nuk duan të jenë nën diktat të Kurtit, dhe në rregull është. Ata nuk janë as inatçorë. Ata thonë, ‘nëse dëshiron, ulemi dhe merremi vesh, por nuk do të na imponosh asgjë’”.
“Gjithmonë në Kosovë, partia e parë është munduar të bëjë diktat. Edhe kur ka qenë LDK e para, edhe PDK-ja. S’ka më diktat. I përkrahi krejtësisht liderët e rinj të ish-partive opozitare”, u shpreh Deda.
Ai thotë se nuk e di a ka nevojë vendi për parti të re, por shton se Kosova ka nevojë për reformë të mëtejshme të partive politike.
“Sot kemi përtëritje të partive politike. E vetmja që po mbetet e pareformuar është Vetëvendosja. LVV-ja në të cilën kam qenë unë dhe ajo e sotmja, s’kanë lidhje njëra me tjetrën. Nëse shkojmë në zgjedhje shpejt, Albin Kurti ndoshta do të jetë më i votuari, por jo me distancë kaq të madhe” me tjerët, tha Deda.