Deda: Mitrovica është test i dinjitetit të njerëzve, qeveria po u bon presion të hatashëm

Të dielën do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 18 prej komunave që nuk arritën të fitohen më 12 tetor.

Sipas analistëve e opinionistëve, gara më interesante do të jetë në Prishtinë e në Mitrovicë.

Ilir Deda, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se Mitrovica është test i dinjitetit të njerëzve. Kjo pasi, siç u shpreh ai, qeveria në detyrë po u bën presion qytetarëve të atjeshëm.

“U bën presion njerëzve në Mitrovicë pa kurrfarë ndjeshmërie nëpër çka ka kaluar ai vend në 25-26 vjetët e fundit. E kërcënon indirekt Mitrovicën duke i thënë se s’ju jap para nëse s’fiton kandidati im. Mbrëmë e pamë në Prishtinë që tha se nëse votohet një qeverisje e përgjegjshme, 1.5 miliard euro janë investime në katër vjetët e ardhshme në Prishtinë. Kjo indirekt është edhe për komunat tjera”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, Deda tha se qytetarët e Mitrovicës duhet t’i tregojnë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se do të votojnë kandidatin që ata e duan për kryetar, e jo atë që e do ai.

“Për mua, sidomos Mitrovica, është test i dinjitetit të njerëzve. Edhe sa kanë me i rezistu një presioni të egër të një qeverie në detyrë, e cila nuk po bëhet për Mitrovicën e Jugut, nuk po bëhet për mirëqenien e Mitrovicës së Jugut, as për zhvillimin e kësaj komune. Mos harroni që vitin e kaluar minatorët e ‘Trepçës’ janë sharë nga kryeministri se s’po punojnë mjaft. Këtu po shihet që qeveria e Kosovës po bën presion të hatashëm në Mitrovicë te njerëzit. Për mua është kjo: a do t’i rezistojnë njerëzit dhe është njëlloj dinjiteti kur thua, a din çka? Boll më. Me juve e kemi mjaft. Ne e zgjedhim kryetarin që e duam për veten tonë, jo për ty”, deklaroi Deda.