Anderson Luis de Souza, “Deco”, drejtor sportiv i Barcelonës, dha një intervistë për “The Times” me rastin e ndeshjes së fundit të Champions League kundër Chelsea, ku theksoi se mbështetja ndaj “La Masia” lidhet shumë më tepër me cilësinë e lojtarëve të rinj sesa me gjendjen ekonomike të klubit: “Si drejtor sportiv duhet të analizosh çfarë ke brenda klubit dhe pastaj të dalësh në merkato. Kur ke lojtarë si Lamine, Cubarsí, Gavi, Balde apo Marc Casadó…, këta janë të rëndësishëm për ne tani. Nuk kemi nevojë të blejmë. Nuk kemi nevojë të sjellim lojtarë të rinj”.
Deco e theksoi sërish këtë mendim, duke mohuar se financat e vështira e detyrojnë Barcelonën të mbështetet te të rinjtë: “Njerëzit më thonë: Për shkak të situatës ekonomike, Barcelona po beson te lojtarët e rinj. Nuk është e vërtetë. Ne besojmë sepse ata janë mjaftueshëm të mirë. Nëse nuk do të ishin të mirë, do të ishte e pamundur të luanin te Barcelona. Kemi pasur fat me këtë gjeneratë me cilësi të jashtëzakonshme, ndaj nuk na është dashur të hyjmë në merkato për disa pozicione. ‘La Masia’ na ka ndihmuar, por kjo vjen ngaqë këto lojtarë janë të shkëlqyer”.
Ai shtoi se, për të mbajtur talentin e brendshëm, nganjëherë duhet të tërhiqet edhe talent i jashtëm kur është e nevojshme: “Nëse ndodh kjo, Lamine do të jetë i lumtur. E di që dëshira e tij është të fitojë diçka të rëndësishme me Barcelonën. Po të isha në vend të tij, do të ndiqja me kujdes çfarë bën klubi”.
Deco u shpreh se objektivi i Barcelonës nuk është shitja e lojtarëve, por ndonjëherë është e domosdoshme: “Ideja jonë nuk është të shesim. Barcelona nuk është klub që pëlqen të shesë, por duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, sepse ndonjëherë është e nevojshme. Për të shitur lojtarë të rinj, duhet kontroll. Duhet të dish kur u mbarojnë kontratat dhe të planifikosh të ardhmen e tyre”.
I pyetur në Londër për Marcus Rashford, i huazuar nga Manchester United me të drejtë blerjeje, Deco tha: “Rashford është i lumtur te ne, është lojtar fantastik. Ai mori shumë përgjegjësi te Manchester United që në moshë të re, vuajti pak nga ndryshimi i brezave atje. Ne kërkonim një lojtar si ai, që mund të luante në të tria pozicionet e sulmit. Mundëm ta merrnim me huazim falë dëshirës së tij për të luajtur te Barcelona. Ai priti shumë. E dinte që po luftonim me rregullat financiare, por ishte i durueshëm. Ne jemi të lumtur që e kemi”.
The post Deco: Ne besojmë te “La Masia” sepse ka më të mirët, jo për shkak të situatës ekonomike appeared first on Telesport.











