Debati për UÇK-në, Mustafa: Pos Dimal Bashës, duhet të shkarkohen edhe ata që e propozuan dhe e votuan

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër pas publikimit të artikullit të vitit 2012 të Dimal Bashës, në të cilin UÇK-ja portretizohej në mënyrë negative.

Mustafa ka thënë se përveç shkarkimit të Bashës, përgjegjësi duhet të mbajnë edhe ata që e propozuan, e votuan dhe e uruan atë për postin, duke nënvizuar se ndryshe duhet pranuar se “ky shtet është kriminal, i çliruar dhe i ngritur nga kriminelët dhe drogagjijtë”.

Ai ka theksuar se është obligim i institucioneve dhe shoqërisë që të mbrohet dinjiteti i shtetit dhe i atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

“Janë shumë për shkarkim. Ata që e propozuan, ata që i thurrën lavd, ata që e votuan, ata që e uruan. Ose të pranojmë se ky shtet është kriminal, i çliruar dhe i ngritur nga kriminelët dhe drogagjijtë….”.

“Edhe në këtë rast është obligim ta ruajmë dinjitetin e shtetit tonë, të atyre që luftuan, punuan dhe u flijuan për lirinë që e gëzojmë. Njerëz me pikëpamje dhe veprime të tilla nuk duhet të qëndrojnë në krye të Kuvendit e as në Kuvend”, deklaroi Mustafa për Gazeta Blic.