Dëshmia e të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademaj, Kushtrim Kokalla, në seancën gjyqësore është shoqëruar me debat mes palës së të pandehurve dhe avokatit të familjes së viktimës, pasi ai përmendi Leonardin, vëllanë e të ndjerës.
Debati ka nisur në momentin kur Kokalla, duke folur për pjesëmarrjen e tij në varrim dhe raportet me familjen Ademaj, ka përmendur emrin e Leonardit, duke theksuar lidhjet familjare dhe raportet e mëhershme mes tyre.
“Po kam marrë pjesë. Po kam takuar Naimin dhe gjithë familjarët e Naimit. Gjithë kemi qenë bashkë. Me familjen e të ndjerës që 60 vite që jemi miqësi me familjen Ademaj dhe raport të mira kemi pasur me ta. Kurrë diçka të keqe mes veti nuk kemi pasur. Por sot nuk po e shoh Leonardin këtu që mi thanë që bashkëshorten tanë çka e kam unë. E kam tezakë, falë meje sot ai është martuar dhe është prind”, tha ai.
Pas kësaj deklarate, në sallë pati reagime që çuan në debat mes palës së të pandehurve dhe avokatit të familjes së viktimës.
Ai foli edhe për lidhjet familjare ndërmjet tyre.
“Halla ime është gruaja e parë e Hajdarit, Hajdari është babai i Leonardit (vëllau i Liridonës), i cili i ka dy gra”, tha ai.
Në vijim të seancës, avokati e pyeti të akuzuarin nëse ndonjëherë i ishin ofruar para për vrasjen e Liridonës.
“Nuk më kujtohet që më ka bërë ofertë për vrasjen e gruas së tij”, tha Kokalla.
Avokati Dodaj i rikujtoi më pas deklarimin e tij të mëhershëm në polici, ku kishte thënë se i ishin ofruar para, por nuk i kishte pranuar.
“A ju ka ofruar ndonjë shumë të parave Naimi dhe a keni pranuar para në lidhje me këtë rast. Ju jeni përgjigjur, para më janë ofruar për këtë rast por unë nuk kam pranuar as para as pas rastit”, tha ai.
I akuzuari konfirmoi këtë deklaratë, duke shtuar se dëshmia e tij nuk është përfshirë e plotë në procesverbal.
“Më kujtohet kjo deklaratë. Unë kam deklaruar më gjatë në polici por ata nuk e kanë vendosur në procesverbal”, tha ai./EO










