Mbrojtësi Koni De Winter, pas firmës me Milanin, ka folur për kanalet zyrtare të klubit kuqezi, duke u ndalur edhe te disa prej shokëve të rinj: “Modric? Është gjithmonë bukur të luash me lojtarë si Luka, që kanë fituar gjithçka në nivel individual, ashtu edhe ekipor. Pres të përfitoj përvojë nga të gjithë. Leao sidomos është shumë i fortë. Më ka impresionuar sa i madh është fizikisht dhe sa i shpejtë. Dua t’i njoh të gjithë dhe të mësoj më shumë për secilin”.
Për marrëdhënien me Massimiliano Allegri: “Është trajneri që më bëri të debutoj. Për mua do të mbetet gjithmonë moment i madh. Kam shumë kujtime, ishin momentet e mia të para mes të mëdhenjve. Tani jam i lumtur që e kam këtu si trajner”.
I pyetur se çfarë përfaqëson Milani në këtë moment të karrierës së tij, mbrojtësi belg tha: “Një klub i madh që nuk ka nevojë për prezantim. Kur isha i vogël shikoja Ronaldinho, Pato, Maldini me këtë fanellë. Kishte edhe shumë holandezë… Këtu kanë kaluar shumë lojtarë të mëdhenj. Duke u rritur, gjithmonë e kam ndjekur Milanin”.
Sa i përket asaj që mund të sjellë në skuadër, theksoi: “Siguri. Një qendërmbrojtës duhet të ketë siguri. Dua të bëhem pikë e sigurt në mbrojtjen kuqezi”.
Për kujtimet nga “San Siro” u shpreh i entuziazmuar: “Herën e parë që erdha mbeta vërtet i impresionuar nga madhësia dhe zhurma që bëjnë tifozët. Më kujtohet edhe kënga që këndojnë gjatë nxehjes… Është stadiumi më i bukur që kam parë në jetën time, ta kem mundësinë të luaj aty me fanellën e Milanit do të jetë akoma më bukur”.
The post De Winter zbulon idhujt kuqezinj: Jam rritur duke parë Ronaldinho, Pato dhe Maldini appeared first on Telesport.