Këngëtari i njohur David Dreshaj, i cili prej kohësh komentohet për stilin e tij të veçantë dhe prezencën moderne në skenë, ka sjellë një ndryshim të guximshëm në pamje duke u shfaqur me flokë ngjyrë blu.
Pamjet e publikuara prej tij kanë tërhequr vëmendjen e fansave, të cilët po presin me kuriozitet arsyen e këtij transformimi.
Siç mësohet, look-u i ri lidhet me videoklipin e këngës së tij të re “Lady Flame”, e cila pritet të publikohet shumë shpejt. Kënga sjell një bashkëpunim të fortë artistik mes Arianit Abazit, Robert Bilbilovit dhe vetë Davidit. Abazi dhe Dreshaj janë autorët e tekstit, ndërsa Bilbilov është kujdesur për mix-masterin, regjistrimin dhe bashkë me Arianitin edhe për muzikën, melodinë dhe beat-in.

“Lady Flame” pritet të sjellë një energji të re në diskografinë e Davidit, ndërsa fansat po e presin me entuziazëm si interpretimin e tij karakteristik, ashtu edhe stilin e tij të ri që ka ndezur debat pozitiv në rrjete sociale.
Një element i veçantë i këngës është kombinimi simpatik mes gjuhës shqipe dhe asaj angleze, që pritet t’i japë projektit një dimension modern dhe ndërkombëtar.

Me një imazh të ri dhe një këngë që premton ritëm dhe stil, David Dreshaj duket gati të rikthehet fuqishëm në tregun muzikor me “Lady Flame”.










