“Dashuri që ngec mes fytit dhe zemrës…”; rrëfimi drithërues i mamasë për Del Pieron

“Ka fjalë që një nënë i mban të varrosura në zemër për gjithë jetën. Qëndrojnë aty si gurë të rëndë që nuk i lëviz dot. Unë s’kam qenë kurrë e zonja t’i nxjerr ashtu siç doja. Kam menduar gjithmonë se dashuria e vërtetë nuk ka nevojë për zë. Por tani jo. Tani nuk mund të hesht më; djali im është një njeri jashtë të zakonshmes.

Dhe e them me frymë të shkurtër, me duar që më dridhen, sepse dashuria më e thellë është ajo që ngec mes fytit dhe zemrës. Alessandro nuk ka qenë kurrë një djalë problematik. I respektueshëm, i pastër brenda, i aftë të dëgjonte dhe të zgjidhte të mirën pa bërë zhurmë. Ai dhe vëllai i tij nuk na detyruan kurrë të bënim net pa gjumë, as na thyen zemrën.

Në shtëpinë tonë komplimentet nuk ishin zakon. As atëherë kur ai shkëlqente më shumë se të tjerët, kur emri i tij mbushte fushat, stadiumet, gazetat. Nuk arrija t’i thoja ato fjalë të mëdha që të gjithë thonin për të. Por sot, po. Sot mund ta shikoj në sy dhe ta pranoj: është i veçantë. Dhe ka qenë gjithmonë.

Nuk kam ditur t’i bëj dhurata të mëdha; pasuria ime ka qenë gjithmonë kuzhina. Sot ai ruan linjën, provon vetëm një lugë, por mjafton. Disa shije nuk mbushin stomakun, por shpirtin. Kur kthehem pas në historinë e tij, më digjet ende fryma. Ishte pak më shumë se 13 vjeç kur la folenë për të ndjekur një ëndërr në Padova.

S’e di nëse isha e guximshme apo e marrë që e lashë të ikte, por në sytë e tij kishte një zjarr që asnjë nënë s’mund ta shuante. Gëlltiti frikë, dhimbje, sakrifica që shumë nuk i imagjinojnë. Dëmtimi i vitit 1998…, atë britmë e dëgjoj ende. Besova për një çast se jeta ime u ça bashkë me të. U desh një vit për ta qepur atë plagë, një vit me lot të heshtur dhe shpresa të ruajtura si relike.

Sot jeton në Madrid. Distanca është e madhe, por zëri i tij e përshkon çdo kilometër. Si baba është bërë edhe më i madh: i butë, i kujdesshëm, i pranishëm. Dashurinë për futbollin e ka nga babai i tij, Gino, juventin deri në palcë.

Unë, në fillim, e shikoja nga jashtë. Pastaj jeta vendosi që fati ynë të merrte pikërisht ato ngjyra. Dhe atë ditë, më 2012, kur kapitulli i tij te Juventusi u mbyll, unë isha në shkallë. Kam qarë për atë që kishte qenë, për atë që do të mbetej gjithmonë, edhe për gjithçka që nuk shihet: heqjet dorë, frikërat, kilometrat, rrëzimet, forca për t’u ngritur.

Por nuk ishin lot për një fund. Ishin lot për diçka që do të vazhdonte të jetonte. Sepse një djalë i tillë nuk përshëndetet kurrë me të vërtetë. Nuk e mbyll një libër kur faqet vazhdojnë të marrin aromë të së ardhmes”.

— Bruna Furlan, mamaja e Alessandro Del Piero ❤️

The post “Dashuri që ngec mes fytit dhe zemrës…”; rrëfimi drithërues i mamasë për Del Pieron appeared first on Telesport.