Niveli i ujit në lumin Danub në Rumani ka rënë gjatë fundjavës në pikën më të ulët që nga viti 1996, duke detyruar autoritetet të vendosin kufizime për ujitjen e tokave bujqësore dhe duke shkaktuar pengesa të pjesshme në transportin lumor dhe turizëm.
Thatësira e zgjatur dhe valët e të nxehtit kanë prekur rrugët ujore në të gjithë Evropën këtë vit. Sipas të dhënave të monitorimit klimatik të Reuters, temperaturat mesatare në Evropën Perëndimore të hënën pritet të jenë rreth 26.2 gradë Celsius, mbi normalen për këtë periudhë.
Agjencia shtetërore rumune për menaxhimin e ujërave njoftoi se niveli i rrjedhës së Danubit në pikën hyrëse në Rumani ishte rreth 1,700 metra kub ujë në sekondë të dielën, krahasuar me mesataren e korrikut prej rreth 4,700 metra kub në sekondë.
Pamjet e Reuters treguan zona të gjata me rërë të ekspozuar pranë kufirit me Bullgarinë, ndërsa disa shërbime tragetesh u pezulluan dhe anijet që transportojnë grurë mbetën të bllokuara.
Rumania është një nga eksportueset më të mëdha të grurit në Bashkimin Evropian. Autoritetet kanë kufizuar përdorimin e ujit për ujitjen e kulturave bujqësore në juglindje të vendit dhe kanë menaxhuar rezervuarët për të siguruar nivelet minimale të ujit për ftohjen e dy reaktorëve të kompanisë shtetërore bërthamore Nuclearelectrica.
Autoritetet thanë se nivelet e Danubit pritet të rriten gradualisht nga e hëna, pas reshjeve të dendura në disa zona të vendit.








