Sistemi Barak MX, i prodhuar nga Israel Aerospace Industries, është një platformë e shumëfishtë mbrojtjeje.
Danimarka ka vendosur të mos e vazhdojë marrëveshjen për blerjen e sistemit izraelit të mbrojtjes ajrore Barak MX, pas rekomandimeve të Komandës së Mbrojtjes për arsye “ushtarako-teknike”.
Në një deklaratë zyrtare, ministri i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen tha se vendimi u mor në përputhje me vlerësimin profesional të ushtrisë.
“Komanda e Mbrojtjes ka paraqitur një qëndrim të qartë ushtarako-teknik mbi zhvillimin e mbrojtjes ajrore tokësore. Jam i kënaqur që kemi rënë dakord të ndjekim këto rekomandime, për të blerë kapacitetet më të përshtatshme dhe për të siguruar zhvillim të shpejtë dhe efikas”, deklaroi ministri.
Komanda e Mbrojtjes daneze ka sugjeruar që fondet e parashikuara për sistemin izraelit të përdoren për “nisma të tjera me fuqi luftarake më të menjëhershme, përfshirë vendosjen sa më të shpejtë të mbrojtjes ajrore tokësore”.
Sistemi Barak MX, i prodhuar nga Israel Aerospace Industries, është një platformë e shumëfishtë mbrojtjeje që synon interceptimin e avionëve, dronëve, raketave me rreze të shkurtër dhe raketave lundruese. Ai konsiderohet ndër më të avancuarit në teknologjinë izraelite të mbrojtjes ajrore.










