Dallaveret zgjedhore: Kujt iu vodhën më së shumti vota nëpër parti politike?

Skandali me vota po del të jetë i madh.

Kjo ka bërë që Kosova të shkojë, me shumë gjasë, në rinumërim të plotë.

Përveç atyre që dyshohet se i vodhën votat, shumë kandidatët ishin të vjedhur.

Por, kush u vodh më së shumti nëpër parti politike?

Në Lëvizjen Vetëvendosje po del se njëri nga më të dëmtuarit ka qenë Hajrulla Çeku. Ai pas rinumërimit, ka mbi 160 vota më shumë se që kishte në numërimin fillestar.

Më pas edhe Alban Bajrami ka dalur në +98 vota, Hekuran Murati në +95 vota, Shqipe Selimi në +90 vota, Xhelal Sveçla ka mbi 80 vota më shumë se në numërimin e parë, e kandidatë të tjerë.

Shiftra dukshëm më të larta ka në Partinë Demokratike të Kosovës. Aty, shumë kandidatë janë dëmtuar nga vjedhjet e votave.

Më së shumti vota i janë vjedhur Uran Ismailit. Ai pas rinumërimit ka mbi 760 vota më shumë se që kishte në numërimin fillestar. Më pas Arian Tahiri, që është në +624 vota pas rinumërimit, Jona Hoxhaj që ka rreth 450 vota më shumë, Përparim Gruda mbi 400 të tjera, e Vlora Çitaku afër 500 vota më shumë.

Të dëmtuar janë edhe Mërgim Lushtaku, Sala Jashari, Arben Mustafa, Bekim Haxhiu e Artan Behrami.

Edhe në LDK ka më pak kandidatë të vjedhur. Më së shumti vota pas rinumërimit ka fituar Paris Guri mbi 215, Gëzim Hazrolli mbi 130 e Festim Kabashi mbi 120.

Më 13 janar, KQZ kishte vendosur për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. Në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

Pas rinumërimit, ka dalur se shumë kandidatët kanë humbur mijëra vota, që do të thotë se mundësia për dallavere është e madhe.

Ka kandidatë sikur Fetah Paçarizi në PDK që ka humbur mbi 6 mijë vota, kurse të tjerët, gjithashtu me mijëra. Kryesisht, kandidatët nga rajoni i Prizrenit.

Si rezultat, edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis. Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.

Disa prej kandidatëve që u kanë dalur vota më shumë kanë reaguar, duke pretenduar se ata nuk janë të përfshirë.