Dallavere në tenderët 8.8 milionësh, i arrestuari nga Krimet Ekonomike është familjar i Xhafer Tahirit

Policia e Kosovës njoftoi sot për një aksion të zhvilluar nga Njësiti i Krimeve Ekonomike, në Prishtinë.

Sipas policisë, një zyrtar u arrestua nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Burime të IndeksOnline pohuan se zyrtari në fjalë është udhëheqësi i divizionit të prokurimit në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Lulzim Bajrami.

Po të njëjtat burime bëjnë me dije se Bajrami është “baxhanak” i kandidatit për kryetar të Vushtrrisë nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri.

Arrestohet një zyrtar i shtetit, dyshohet se u ndihmoi kompanive të fitojnë tenderë në vlerë mbi 8.8 milionë euro

Bajrami dyshohet të ketë ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme.

Vlera totale e tenderëve në fjalë tejkalon 8.8 milionë euro.

Pas intervistimit, Bajrami është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq, dy të dyshuar tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.