Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar sot se është bërë ekzekutimi i pagesave të rritura për gratë lehona, duke e dyfishuar shumën mujore të shtesës që nga muaji i kaluar, përcjell KosovaPost.
“Sot është bërë pagesa me rritje e shtesave për lehona: 325.9 euro në muaj, nga 170 euro sa ishte deri muajin e kaluar”, shkroi Murati në një postim në rrjetet sociale.
Ai theksoi se kjo rritje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të gruas dhe mbështetjes së familjes në Kosovë.
“Kur e mendon që deri para 4 viteve mbështetja nga shteti për gratë lehona ka qenë 0, e kupton se sa pak është vlerësuar roli dhe mirëqenia e familjes nga qeveritë e kaluara,” u shpreh Murati.
Qeveria aktuale ka promovuar në vazhdimësi politika sociale që synojnë përmirësimin e kushteve për familjet e reja dhe barazinë gjinore në tregun e punës.
The post Dalin shtesat e rritura për lehonat, nga 170 në 325 € – Murati: Një mbështetje që s’ka ekzistuar para katër vjetësh appeared first on Kosovapost.net.