Janë publikuar pamjet nga momenti kur vetura, në të cilin ishin tri vajza, dy nga të cilat humbën jetën sot, për t’iu shmangur goditjes me një auto mikser betoni, përfundojnë jashtë rrugës në aksin rrugor Domoroc – Hodonoc të Ranillugut.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet momenti kur auto mikseri i betonit papritmas bën një kthesë në të majt, ndërsa vetura që lëvizte me një shpejtësi (në të cilin ishin tri vajzat, dy prej të cilave vdiqën) për t’iu shmangur goditjes humb drejtimin dhe përfundon jashtë rrugës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksidentin që ndodhi sot në aksin rrugor Domoroc – Hodonoc të komunës së Ranillugut, mbetën të vdekura dy vajza dhe një u lëndua.
Bëhet e ditur se si rezultat i veprimeve hetimore nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, shikimit të vendit të ngjarjes, këqyrjes së kamerave dhe mbledhjes së provave të tjera, me vendim të Prokurorit të Shtetit është ngritur dyshimi se “nuk kemi të bëjmë me vetaksident, por me aksident trafiku ku dyshohet se drejtuesi i kamionit, i moshës 55-vjeçare, si pasojë e kthimit të pasigurt, ka penguar lëvizjen e automjetit i cili ishte në tejkalim, ku drejtuesja e automjetit nga mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, humbi kontrollin mbi mjetin në tentativë për shmangie të goditjes së kamionit dhe përfundoi e rrokullisur jashtë rrugës”.
“I dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndalur për 48 orë, gjersa trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion”, u tha në njoftimin e Policisë.