Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, legjenda e futbollit Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë sot pasi pësoi arrest kardiak pas ushtrimeve në një palestër sportive.
Gazeta Shneta sjell detaje nga momenti i sulmit deri tek mbërritja në Emergjencë Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Bujar Gashi, ka treguar detajet e përpjekjes së dy ekipeve të mjekëve për ta rikthyer në jetë të ndjerin.
Gashi tregon se ambulanca është ftuar në ora 9:29 nga vendi i ngjarjes, një palestër sportive në Dragodan, ndërsa ka mbërritur 7 minuta më vonë, në 9:36.
Vokrri dyshohet se është goditur nga arresti kardiak pasi ka mbaruar ushtrimet dhe nga momenti i thirrjes së ambulancës deri tek mbërritja, i ndjeri është ndihmuar nga një zyrtar i EULEX-it. Sipas Gashit, ndihma që i ka dhënë ky person, ka qenë vendimtare gjatë këtyre minutave.
“Ai e ka kryer punën e një paramediku sepse masazhi që i ka bërë në gjoks ka ndihmuar në qarkullimin e gjakut dhe kjo e ka mbajtur në jetë gjatë këtyre 7 minutave”, deklaron Gashi.
Ai tregon tutje se në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy ekipe të mjekëve të cilët e kanë trajtuar Vokrrin për më shumë se gjysmë ore në vendin e ngjarjes.
“Është intubuar, reanimuar dhe i është dhënë terapia e duhur. Ekipet kanë arritur që t’ia rikthejnë ritmin por jo ndonjë shenjë tjetër të jetës dhe është dërguar në Emergjencën e QKUK-së”, ka thënë Gashi.
Mjeku ka theksuar se nëse Vokrri nuk do të kishte asnjë shenjë jete, atëherë nuk do të transportohej për në QKUK.
Se Vokrri është nxjerrë me shenja jete nga palestra e ka konfirmuar edhe Valon Murati, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e kësaj ngjarje tragjike. Ai ka deklaruar se ambulanca ka arritur shpejt në vendin e ngjarjes dhe ka arritur që t’ia rikthej shenjat e jetës, ndonëse sipas tij i ndjeri ka qenë në gjendje mjaft të rëndë.
Ndërsa drejtori i Klinikës së Emergjencës, De. Basri Lenjani, ka deklaruar se Vokrri ka mbërritur pa shenja jete.
“Personi në fjalë ka pësuar arrest kardiak dhe përkundër masave ranimatore ka qenë e pamundur të rikthehet në jetë”, ka thënë Lenjani.