Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve anembanë territorit të Kosovës.
Me këtë rast, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka ka deklaruar se pas mbylljes së të gjitha vendvotimeve tani po zhvillohet procesi i numërimit të fletëvotimeve.
“Nga 98.3% numri i qytetarëve që kanë votuar është 46.90%, mbi 820 mijë votues.Në zgjedhjet e vitit 2019 kishin votuar 44.18% apo 812 mijë e 49 votues.Të dhënat e detajuara të pjesëmarrjes në zgjedhje janë në linkun e KQZ-së”, tha Daka.
Tutje ajo shtoi se është e lumtur se sot Kosova tregoi shembull se si duhet organizuar zgjedhjet pavarësisht sfidave të shumta.
“Falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës që në këtë ditë dhanë shembull të një kulture të lartë demokratike, poashtu edhe subjektet politike që treguan kujdes për procesin zgjedhor për ditën e sotme.Inkurajoj të gjithë të zbatojnë të gjitha procedurat e e nevojshme gjatë numërimit të votave”, shtoi ajo.