Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhenë detaje për përleshjen e armatosur në qendër të Podujevës.
Prokuroria ka bërë të ditur se përleshja e armatosur ka qenë mes tre personave.
“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore kanë pësuar tre personat e përfshirë në ngjarje si dhe një kalimtar i rastit”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake.
“Menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Personat e lënduar me armë zjarri, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.








