Në prag të një sfide vendimtare në “Conference League”, trajneri i Dinamo City, Ilir Daja, doli në konferencë për shtyp me një mesazh të qartë: përqendrim maksimal dhe asnjë referim te rezultati i ndeshjes së parë në Andorrë (fitorja 2-1).
Me eksperiencën e tij të gjatë në arenën europiane, Daja i njeh mirë rreziqet e një kualifikimi që duket i sigurt në letër. Ai thekson rikthimin e disa titullarëve, mungesat e rëndësishme, si dhe angazhimin total të skuadrës për të dhënë gjithçka në fushë.
Ja deklaratat e plota të Dajës para ndeshjes së kthimit ndaj Atletic Escaldes: “Po themi që jemi mirë, sepse rikthehen Dita dhe Itodo, të cilët nuk kanë qenë në ndeshjen e parë. Për të sqaruar opinionin dhe tifozët e Dinamos, të dy nuk kanë qenë në gjendje për ndeshjen e parë. Kemi mungesën e Rustemit, një tjetër kapiten i ekipit.
Pati një dëmtim në seancën e pardjeshme. Kemi në diskutim edhe një tjetër lojtar, për arsye shëndetësore, por do ta shohim deri para ndeshjes. Mendoj se do të ishte shumë mirë ta kishim gjithë kontingjentin në dispozicion, por edhe kështu jemi mirë”.
Për të, sot do të jetë ndeshja e 56-të në Europë si trajner: “Asnjëherë nuk ka pasur një ndeshje të lehta, sado në letër kundërshtari të jetë i nivelit të lartë ose jo. Kemi bërë një hap të mirë në ndeshjen e parë, jo vetëm në rezultat, por kemi zhvilluar një pjesë të dytë goxha të mirë. Dihet që këto ndeshje nuk përfundojnë me ndeshjen e parë, ndaj duhet akoma më shumë të jemi të fokusuar në kthim, pavarësisht rezultatit që kemi marrë në Andorra.
Asnjëherë nuk jam përgatitur për penalltitë, të them të drejtën, edhe kur kam drejtuar ekipe të tjera. Nuk dua ta çoj psikologjikisht ekipin drejt një rezultati që shkon drejt penalltive. Me ditët që kemi pasur në dispozicion i kemi marrë masat për një ndeshje të vështirë, kemi një ekip simpatik përballë, që ka manovër të konsoliduar, sidomos në fazën e sulmit. Në ndeshjen e parë kundër Dudelanxhit të Luksemburgut, ky rival mori dy fitore, në fushën e saj dhe transfertë. E vlerësojmë kundërshtarin, por në fund fare do të vlerësojmë më shumë veten tonë.
Si në çdo ndeshje, meraku më i madh është si do të jetë ekipi. Në periudhë vere, gjendja e ekipeve është e luhatshme, për shkak të mungesës së ritmit të lojës. Shpresojmë që me kontigjentin që kemi në dispozicion të japim më të mirën e mundshme, jo vetëm për ta prezantuar Dinamon në Europë pas shumë vitesh mungesë, por edhe për të përfaqësuar nivelin e futbollit shqiptar në arenën europiane.
Ndryshime në formacion? Nuk mund të hyj në detaje. Nuk mund ta paraqes para fillimit të ndeshjes se cila do të jetë strategjia apo manovra jonë. Edhe nëse do të përdorim vendosje të ndryshme apo të njëjtën, nuk ia kemi lënë rastësisë. Jemi përgatitur që çfarëdo vendosjeje të kemi, në të dyja fazat e lojës të kemi sa më shumë ekuilibër, duke ditur faktin se ndeshjet janë me eliminim.
Do të thoja që ne do ta konsiderojmë startin e ndeshjes së kthimit sikur në Andorrë kemi dalë barazim. Nuk do të nisemi nga çfarë kemi bërë në Andorrë, por do të futemi në fushë me 100% tonë. Këto ndeshje duan të kesh motivim dhe të përqendrohesh nga minuta e parë deri në fund, për të qenë i favorizuar për kalimin më tej.
E gjithë energjia psiko-fizike e grupit dhe e stafit është e përqendruar te ndeshja e kthimit. Pa kaluar këtë sprovë, nuk ka ndeshje të radhës. Në këto ndeshje nuk ka futbollistë të rinj dhe të vjetër. Ka lojtarë që janë në maksimumin e formës së tyre, në mënyrë që të paraqitemi sa më mirë. Kthimi ndaj rivalit andorras nuk është i lehtë, pavarësisht emrit të kundërshtarit.
Edhe kur kam arritur në grupe në drejtimin e Skënderbeut dhe Ballkanit, nuk e kam menduar në turin e dytë kualifikues shkuarjen në grupe. I kemi marrë gjërat hap pas hapi. Këtë gjë do bëjmë edhe me Dinamon, pastaj do shohim deri ku mund të arrijmë.
Jemi në një dinamikë merkatoje dhe kur lojtarët afirmohen, siç kanë bërë jo vetëm Itodo dhe Zabërgja, na vjen mirë që mund të shkojnë në kampionate më të forta. Asnjë trajner nuk do që t’i largohet asnjë lojtar, por dinamika e merkatos ka bërë që klubet shqiptare ta shikojnë edhe këtë potencial financiar, në mënyrë që të kemi ekonomi të shëndoshë edhe për sezonin tjetër. Pavarësisht se ne si klub nuk kemi pasur asnjëherë probleme me anën financiare. Presidenti ynë ka qenë super korrekt me këtë gjë”.
The post Daja nuk bazohet te fitorja në Andorrë: Përqendrim maksimal, nisemi sikur gjithçka është barazim appeared first on Telesport.