D+ kërkon anulimin e tenderëve në MAShTI dhe AAAPARr – 50 mijë euro për konsulentë në kundërshtim me ligjin

 

Organizata Demokraci Plus (D+) i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) dhe Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) që të anulojnë dy aktivitete të prokurimit për shërbime konsulente, të cilat sipas tyre janë në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren e Prokurimit Publik. Vlera e parashikuar e këtyre kontratave arrin në rreth 50 mijë euro, ndërkohë që institucionet kanë në dispozicion mundësinë e rekrutimit të rregullt të stafit përmes procedurave ligjore, raporton Demokracia.com.

Demokraci Plus (D+) i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Inovacionit (MAShTI) dhe Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) në kuadër të MAShTI që të anulojë dy aktivitetet e prokurimit për shërbime konsulente sepse bien në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren nr. 002/2024 për prokurim publik.

  • MAShTI në dhjetor 2024 ka iniciuar tender për angazhimin e një (1) kontraktori në divizionin e burimeve njerëzore, me numër të prokurimit 208 Udheheqesi-24-13480-2-2-1, me vlerë të parashikuar 14,400 euro me kohëzgjatje 10 muaj;
  • AAAPARr po ashtu në dhjetor 2024 ka iniciuar tender për angazhimin e tetë (8) konsulentëve të jashtëm për nevoja të AAAPARs-së, me numër të prokurimit 97500-24-13619-2-2-1, me vlerë të parashikuar 33,600 euro me kohëzgjatje 12 muaj.

Rregullorja e Prokurimit Publik përcakton që angazhimi i konsulentëve bëhet vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik. Vlen të ceket se institucionet janë duke rekrutuar staf të rregullt përmes procedurave të jashtme ashtu siç kërkon Ligji për zyrtarët pubik dhe kjo mund të vërtetohet përmes Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzorë (SIMBNJ).

Rregullorja për Prokurimin Publik përcakton që kontraktimi i konsulentëve duhet të bëhet për nevoja specifike që stafi ekzistues i institucionit nuk mund t’i mbulojë. Megjithatë, MAShTI dhe AAAPARr kanë zgjedhur të angazhojnë konsulentë për shërbime të përditshme administrative. Këto përfshijnë, ndër të tjera, këshilla për zbatimin e legjislacionit dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në MAShTI, si dhe zbatimin e programeve mësimore dhe metodologjive të reja në përputhje me standardet dhe ligjet për arsimin në AAAPARr.

MAShTI dhe AAAPARr duhet të anulojnë këto dy aktivitete të prokurimit dhe të nisin procedura të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik dhe jo përmes legjislacionit të prokurimit publik. Shpenzimi i rreth 50,000 euro në angazhimin e nëntë (9) personave për një periudhë 10 dhe 12 mujore është keqmenaxhim i parasë publike dhe nuk ofron qëndrueshmëri në angazhim të personelit për kryerjen e punëve në ministri dhe agjenci. /Demokracia.com/