Një person i paidentifikuar duket se pati fort zell të dëshmojë në Gjykatën Speciale si viktimë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare.
I koduar me numrin V-298, ky individ u paraqit me pretendime qesharake dhe banale ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët e së cilës nuk hezitoi t’i quante “terroristë”, shkruan lajmi.net.
Por ky fakt nuk është kupola e së keqes. Në parashtresën që mban datën e dhjetorit të vitit që shkoi, në raportin e 18-të të Zyrës për Viktimat në Gjykatën Speciale, ky person spikati me një akuzë të padëgjuar ndaj UÇK-së.
Në rrëfimin e tij të dorëzuar tek personat përgjegjës në Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave në Hagë, ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës i ka bërë “magji të zezë”.
“Viktima-298/06 pretendon të jetë viktimë e drejtpërdrejtë e një organizate terroriste që është përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë dhe që ka përdorur magji të zezë dhe hipnozë kundër tyre. VPO vlerëson se krimet për të cilat Viktima-298/06 pretendon të jetë viktimë nuk bien nën parametrat e akuzave, siç specifikohet në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar”, theksonte Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në kuadër të Gjykatës Speciale, gjersa përshkruante pretendimet e këtij personi, që krahasuar me akuzat e deklaratat që janë bërë deri tash në Speciale, nuk është se është edhe aq qesharak sa ishin të tjerat.
Por edhe më i çuditshëm është reagimi i Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave në Proces. Pse? Po e sqarojmë më poshtë.
Siç ndodh rëndom, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave pranon aplikacionet e individëve që pretendojnë se kanë pësuar dëm direkt apo indirekt nga të akuzuarit në procedurë dhe të njëjtat më pas i përcjell tek Trupi Gjykues.
Pretendimi për “magji të zezë dhe hipnozë” nga ky person, në kushte normale nuk do të duhej të merrej seriozisht, aq më pak të dërgohej për shqyrtim tek Trupi Gjykues. Por kështu nuk ndodhi.
Ndonëse u rekomandua refuzimi, aplikimi i 298-shit shkoi deri tek Trupi Gjykues nga Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në Procedurë.
Më pas, Trupi Gjykues vendosi ta rrëzojë në tërësi, duke e shqyrtuar si aplikacionet tjera, sikurse të mos kishte ndodhur gjë.