CR7, rekordmeni i pafund. Barazon Ruiz dhe synon fronin absolut, Messi i treti

Cristiano Ronaldo ka shkruar një tjetër faqe historie me Portugalinë, duke u bërë golashënuesi më i madh në historinë e fazave kualifikuese të Botërorit të FIFA-s. Me penalltinë kundër Hungarisë dhe dy golat ndaj Armenisë, ylli luzitan arriti kuotën e 39 golave në 49 ndeshje, duke barazuar rekordin e legjendës guatemalase, Carlos “Pescadito” Ruiz.

Ruiz, që u tërhoq në vitin 2016 me 39 gola në 47 ndeshje kualifikuese (pa luajtur kurrë në një Botëror), mbante fronin për gati një dekadë. Rekord që tani rrezikon t’i rrëshqasë përfundimisht në duart e CR7, i cili ka edhe 4 ndeshje të tjera kualifikuese në grup.

Pas tyre vjen Lionel Messi, me 36 gola në 72 ndeshje kualifikuese, tashmë i treti në këtë renditje prestigjioze. Në total, Cristiano numëron 141 gola në 223 ndeshje me Portugalinë, më shumë se çdo lojtar në historinë e kombëtareve. Një rekordmen i përjetshëm, që nuk ndalet së thyeri rekorde.

 

The post CR7, rekordmeni i pafund. Barazon Ruiz dhe synon fronin absolut, Messi i treti appeared first on Telesport.