Cristiano Ronaldo u bë objekt i shumë kritikave për mungesën e tij në funeralin e Diogo Jota, i cili u mbajt më 5 korrik. Në mbrojtje të tij ka dalë Pedro Proença, presidenti i Federatës së Futbollit të Portugalisë, i cili në një intervistë për gazetën “Expresso” i ka quajtur këto polemika “padrejtësi e madhe”.
“Cristiano ka qenë me ne që nga fillimi, – ka deklaruar Proença. – Ishte ndër njerëzit më të prekur nga kjo tragjedi, jo vetëm si kapiten, por edhe si shok dhe mik i vërtetë i Jota. Mungesa e tij fizike në ceremoninë e varrimit nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si shkëputje nga grupi. Ai ka qenë gjithmonë pjesë e familjes së kombëtares”.
Edhe vetë Ronaldo ka shpjeguar publikisht arsyet e mungesës së tij, duke theksuar se nuk donte të tërhiqte vëmendje mediatike, çka mund t’ia prishte qetësinë atij momenti. “E di që gjithmonë do të jeni në zemrat tona. Prehuni në paqe, Diogo dhe André! Do të na mungoni të gjithëve”, – pati shkruar kapiteni luzitan në Instagram, duke iu drejtuar familjes së viktimave.
Ndjeshmërinë e këtij vendimi e ka theksuar edhe motra e CR7, Katia Aveiro, e cila kujtoi se sa e vështirë ishte për familjen e tyre të përballonte një humbje publike nën vëmendjen e mediave: “Nuk arrinim as të dilnim nga shtëpia. Shumë njerëz, shumë presion”.
Proença e përmbylli me tone të ashpra ndaj atyre që ngritën polemika: “Është e turpshme që flitet për mungesën e Ronaldos, në vend që të nderohet një familje e shkatërruar nga dhimbja”.
The post CR7 mungoi në funeralin e Jota, e mbron presidenti i Federatës Portugeze: Kritika të turpshme ndaj tij… appeared first on Telesport.