Costacurta i prerë: Nuk e kam kapërdirë dot, i papranueshëm refuzimi i kombëtares nga Acerbi

Alessandro Costacurta, në një intervistë për “La Repubblica”, ka ndarë përshtypjet e para personale në prag të sezonit 2025-2026, që është pothuajse në prag, si dhe ka analizuar në mënyrë të veçantë afrimet e reja të skuadrave të kampionatit.

“Kush më intrigon më shumë? Besoj shumë te Beukema, qendërmbrojtësi i marrë nga Napoli, – ka rrëfyer ish-mbrojtësi i Milanit dhe analist televiziv. – E shoh veten tek ai, me Conten mund të bëhet një mbrojtës i jashtëzakonshëm. Nuk mund të mos përmend edhe De Bruyne me Modric, jam kurioz të kuptoj çfarë ndikimi do të kenë”.

Sa i përket emërimit të Gattusos si trajner i kombëtares italiane dhe disa ish-shokëve të tij te Milani, që janë bërë trajnerë, shtoi: “Te Milani im mendoja se disa kishin më shumë prirje për stolin, Rino ishte një nga këta, gjithmonë ka pasur dëshirë të përmirësohet. Më kanë habitur në mënyrë pozitive Nesta dhe Pippo Inzaghi, që po bëjnë karrierë shumë të mirë si trajnerë. Për ta e kisha gabim parashikimin”.

Shumë, megjithatë, pyesin nëse këtë herë Italia do të shkojë në Kupën e Botës 2026: “Mundësitë janë, si udhëheqës askush nuk është më i përshtatshëm se Gattuso. Kam parasysh këtu aftësinë që ka për të krijuar një grup të fortë dhe përcjellë mesazhet e duhura. Vetë lojtarët duhet ta rikthejnë entuziazmin për ta veshur fanellën blu. Për ne Italia ishte unike, sot nuk është më kështu. Ka ende nga ata që japin shpirtin për kombëtaren, por disa refuzime nuk i kam kapërdirë dot”.

Dhe në këtë drejtim kthehet te çështja “Acerbi-Spalletti”: “Kishte një problem me Spallettin, por duhej të shkonte në kombëtare, të luante dhe pastaj ta shante ditën tjetër. Luciano u detyrua të aktivizonte një debutues në vend të tij. Për shkak të krenarisë, Acerbi tradhtoi tifozët e Italisë dhe shokët e tij, që kishin nevojë për të. Kjo nuk bëhet me kombëtaren, është e papranueshme”.

The post Costacurta i prerë: Nuk e kam kapërdirë dot, i papranueshëm refuzimi i kombëtares nga Acerbi appeared first on Telesport.