Analisti dhe redaktori i gazetës “US Defense and Foreign Affairs”, Gregory Copley, ka folur rreth përfshirjes së Shtëpisë së Bardhë në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, SHBA-të janë shumë më të interesuara që të gjejnë një zgjidhje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sesa për të ndëshkuar Serbinë për qëndrimin dhe veprimet kundër Kosovës.
Copley thotë se tashmë është e qartë që SHBA-të kanë filluar t’i kushtojnë pak më shumë rëndësi qëndrimit serb sesa në të kaluarën.
Ai thotë se kjo ndërlidhet edhe me faktin se Washingtoni dëshiron të mos e humb ndikimin në Gadishullin Ballkanik.
“Ajo që është e sigurt është që SHBA-të po i kushtojnë më shumë vëmendje pikëpamjes serbe për këtë çështje sesa në të kaluarën, por në të njëjtën kohë tregon se SHBA po lufton për ndikim në Ballkan, së bashku me Rusinë dhe Kinën “, ka thënë Copley.
Copley ka folur edhe për presionin e SHBA-së ndaj Serbisë për të ndalë fushatën kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ndër të tjera ai ka folur edhe për atë se si BE-ja e ka humbur avantazhin karshi Serbisë, gjë që sipas tij ka bërë që SHBA-ja të jetë më e interesuar që të arrihet një marrëveshje, sesa të ndëshkojë Serbinë.
“Në këtë fazë, nuk ka asnjë përfitim për të ushtruar presion ndaj Serbisë, por në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara nuk mund të braktisin krijimin e vet, Kosovën, në këtë fazë, përveç nëse arrihet një kornizë e re negociuese, dhe kjo është sigurisht e mundur”, ka përfunduar Copley për Kosovonline.