Vitet e fundit, qytetarët u përballën me një realitet që dikur iu ishte premtuar si i pamundur: shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike.
Pesë vite më parë, në fushatën e zjarrtë të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ulja e çmimit të energjisë ishte një nga 20 prioritetet kryesore të programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në intervista të shumta, Kurti pohonte me një siguri të madhe se qeveria e tij do ta synonte këtë ulje, duke e konsideruar të papranueshme që një vend i pasur me resurse energjetike të paguante shtrenjtë për to.
“Unë nuk mund ta them sot se sa do të ulet energjia elektrike por e di që Contour Global-i nuk vjen në shprehje ma. Ai do të na shtrenjtonte energjinë elektrike dhe ne nuk paguajmë me buxhetin e Kosovës për ata që se paguajnë energjinë elektrike qofshin në veri apo gjetiu.. unë nuk mund ta kuantifikoj sot por ne do ta synojmë uljen e çmimit të energjisë sepse tepër shtrenjtë kur rijmë mbi gjithë këtë energji që kemi”, kishte thënë Kurti nw Kallxo Përnime.
Dhe, në fakt, premtimi u përmbush — por jo ashtu siç shpresonin qytetarët. Në vend që të ulte çmimin e energjisë, qeveria e Kurtit vendosi të refuzonte një nga investimet më të mëdha të huaja në sektorin energjetik.
Qytetarët, tashmë të rënduar nga një ekonomi e brishtë dhe kosto gjithnjë në rritje, presin me frikë valën e tretë të shtrenjtimit të rrymës, ndërsa kryeministri Albin Kurti kompletoi një mandat të plotë me mbi 50% të votave pa mbajtur një nga zotimet e tij kryesore.
Një rritje e sërishme e çmimit të energjisë elektrike, sipas studimeve dhe njohësve të ekonomisë, rrezikon t’na shtrenjtërojë edhe më tej produktet bazë në vendin tonë, duke ndikuar kështu në inflacionin e përgjithshëm, të cilin ende e kemi të pezmatuar nga spiralja eksponenciale brenda katër viteve.
Sipas studimit “Ndikimi i çmimeve të energjisë në spirale inflacioniste”, rritja e çmimeve të energjisë është kontribues serioz në inflacion. “Ky hulumtim konfirmon se çmimet e energjisë kanë një ndikim të madh në pritshmëritë inflacioniste.” – thuhet, mes tjerash.
Hulumtimi thekson se rritja e çmimit të energjisë transmetohet në mënyrë të njëanshme në komponentë të tjerë të inflacionit, siç janë çmimet e ushqimeve dhe shërbimet, të cilat përforcojnë presionet inflacioniste.
Doktoranti i ekonomisë, Edison Jakurti, gjeti se fundmi se korrelacioni mes çmimit të energjisë elektrike dhe çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike “është 0.83”
Kjo, sipas tij, do të nënkuptonte se rritja e çmimit të energjisë elektrike me 15% mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në shtrenjtimin e produkteve ushqimore në Kosovë.
“Korrelacioni mes çmimit të energjisë elektrike dhe çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike është 0.83 (ku maksimumi është 1), po aq sa edhe lidhja mes çmimit të energjisë dhe nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Bazuar në këtë raport dhe trendet e viteve të fundit, një rritje prej 15% e çmimit të energjisë mund të çojë në një rritje mesatare prej 12% të çmimeve të ushqimeve në Kosovë.” – tha ai, ndër të tjera.