Conte: Është e drejtë të jem në listë për t’u bërë trajner i kombëtares italiane

“Është e drejtë që emri im të jetë pjesë e asaj liste për kombëtaren. Së bashku me të tjerë do ta fusja veten në mesin e kandidatëve, nëse do të drejtoja federatën”, – tha trajneri i Napolit, Antonio Conte, në konferencën pas ndeshjes me Milanin.

“Kam qenë tashmë në pankinën e kombëtares, – vazhdoi ai, – e njoh ambientin, kam qenë trajner i saj për dy vite. Nuk është çështje lavdie, por të jesh trajner i kombëtares do të thotë të përfaqësosh vendin. Megjithatë e dini situatën time kontraktuale dhe në fund të sezonit do të takohem sërish me presidentin, pastaj do të shohim”.

Conte shtoi: “Nëse do ta kishim arritur Botërorin me penallti, do të flitej për një arritje dhe për një futboll në formë, por rezultati ndryshon gjykimin. Sa herë që nuk kualifikohemi, duhet të rindërtojmë, por si trajner kam parë pak ndihmë nga klubet. Ka lojtarë të një niveli të caktuar dhe diçka duhet bërë. E duam kombëtaren dhe na vjen keq për atë që ndodhi”.

The post Conte: Është e drejtë të jem në listë për t’u bërë trajner i kombëtares italiane appeared first on Telesport.