Conte e tepron, Napoli ofron 70 milionë euro për 21-vjeçarin e Barcelonës

Gjatë turneut të Barcelonës në Azi, një nga lojtarët që ra më shumë në sy për paraqitjet e tij ishte edhe Gavi. Rikthimi i tij pas dëmtimit ka qenë shumë pozitiv, spanjolli ka treguar karakter luftarak, intensitet dhe cilësi teknike që e bëjnë atë një nga mesfushorët kyç të Barcelonës.

Kjo formë e mirë e 21-vjeçarit nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e tjera. Sipas raportimeve të fundit që vijnë nga Italia, Napoli po përgatit një ofertë 70 milionë euro për të bindur Barcelonën për të lënë të lirë Gavi-n.

Spanjolli është lojtari ideal për mesfushën që po ndërton Antonio Conte dhe do përshtatej mjaft mirë me një legjendë si Kevin De Bruyne. Trajneri italian ka kërkuar nga drejtuesit e klubit të bëjnë ç’të jetë e mundur për transferimin e Gavi-t.

Edhe pse oferta e Napolit duket shumë e mirë, largimi i Gavit duket i pamundur për momentin. Pavarësisht presionit financiar që mund të ketë klubi katalanas, Gavi shihet si një pjesë thelbësore e së ardhmes, veçanërisht nën drejtimin e Hansi Flick, i cili preferon lojtarë energjikë dhe teknikisht të përgatitur.

Për Gavi-n ka pasur interes edhe nga klube të tjera të mëdha si PSG dhe Manchester City, por përgjigja e Barcelonës ka qenë e prerë “jo”. E njëjta përgjigje pritet edhe pas ofertës së Napolit.

The post Conte e tepron, Napoli ofron 70 milionë euro për 21-vjeçarin e Barcelonës appeared first on Telesport.