Coman, lamtumirë emocionuese nga Bayern Munich: Erdha vetëm 19 vjeç…., përzemësisht faleminderit!

Bayern Mynih ka mbyllur marrëveshjen e shitjes së Kingsley Coman tek Al-Nassr. Orët e fundit, klubi saudit ka bindur bavarezët ta lëshojnë ish-lojtarin e Juventusit për rreth 35 milionë euro. Sulmuesi francez, pas pothuajse 10 viteve me “Die Roten”, me 339 paraqitje dhe 72 gola, duke ngritur 20 trofe, ka vendosur ta përshëndesë Bayernin dhe tifozët e tij me një mesazh në Instagram. Ja letra e lamtumirës së Coman:

“Është e vështirë të besohet se kanë kaluar pothuajse 10 vite që kur, 19-vjeç, e bëra Mynihun shtëpinë time. Gjatë gjithë kësaj kohe pata fatin të ndaj kujtime të paharrueshme dhe suksese me këtë klub të mrekullueshëm: 9 tituj Bundesliga, 6 Superkupa Gjermane, 3 Kupa Gjermane, një Kupë Bote për Klube dhe, mbi të gjitha, momentin për të cilin jam më krenar: golin vendimtar në finalen e Ligës së Kampionëve 2020 në Lisbonë.

Për tifozët, mbështetja juaj, në çdo triumf dhe vështirësi, ka qenë shtysë për gjithçka tek mua. Do ta mbaj gjithmonë me vete dashurinë, pasionin dhe besnikërinë tuaj. Jam thellësisht mirënjohës për të gjithë trajnerët, stafin teknik, shokët e skuadrës dhe çdo anëtar të stafit me të cilin pata privilegjin të punoja gjatë këtij rrugëtimi. Ky klub do të jetë gjithmonë pjesë e imja, i uroj Bayernit vetëm suksese të vazhdueshme në sezonet e ardhshme. Nga zemra, faleminderit!”

The post Coman, lamtumirë emocionuese nga Bayern Munich: Erdha vetëm 19 vjeç…., përzemësisht faleminderit! appeared first on Telesport.