Çollaku: Specialja s’gjeti kohë për Thaçin, po ua shkatërron jetën atyre që po mbahen në Hagë

Bekim Çollaku, njëri nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit Hashim Thaçi, ka folur për mungesën e këtij të fundit në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Haxhi Thaçit, pasi Gjykata Speciale s’i dha leje për një gjë të tillë.

Çollaku tha se kjo nuk është asgjë që s’janë mësuar deri më tani nga kjo gjykatë, teksa shtoi se përkundër kërkesës që është bërë në afatin më të shpejtë të mundshëm nga avokati udhëheqës i mbrojtjes së Thaçit, Gjykata “si duket ka qenë e zënë me punë të tjera më të rëndësishme dhe nuk ka gjetur kohë që ta shqyrtojë atë kërkesës sot brenda ditës.

“Ndoshta e njëjta mund të shqyrtohet nesër apo pasnesër dhe të nxirret një vendim. Sigurisht që do të jetë vonë që presidenti Thaçi t’i thoshte lamtumirën e tij pranë varrit, babait të tij dhe t’i hidhte një grusht dhe të Kosovës së lirë babait të vet”.

“Por, po them që kjo gjykatë dhe mos-vendimi i saj nuk paraqet asnjë lloj lajmi tek ne, pasi nuk presim nga kjo gjykatë që të tregojë asnjë lloj empatie për çfarëdo rasti tragjik që në ndërkohë mund t’u ndodhë familjarëve të atyre që po përballen me një gjykim të padrejtë në Hagë”, tha Çollaku në Rubikon në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se pritjet kanë qenë që Thaçi nuk do të lirohet, por sipas tij, do ta lirojnë në ditët e ardhshme, e që kjo do të jetë vonë.

“Por kjo nuk duhet t’i tronditë askënd në Kosovë, aq më pak familjarët e liderëve të akuzuar në Hagë. Kjo gjykatë që përveç që po rrezikon të shkatërrojë historinë më të lavdishme të Kosovës, ajo ndërkohë gjatë këtyre 5 viteve e ka shkatërruar jetën e atyre që po mbahen në Hagë”.

“Nuk është vetëm presidenti Thaçi i cili sot varrosi babanë e vet. Edhe të akuzuarit e tjerë janë përballur me fatkeqësi të tilla dhe me vdekje të rënda dhe të njëjtit e kanë pasur fatin e tillë, s’kanë pasur mundësi që t’ua thonë lamtumirën e fundit të dashurve të tyre”, tha ai.