Çollaku: Qeverisja e dobët e LVV-së ka dëshmuar se koalicionet qeverisëse janë të domosdoshme

Koalicionet paszgjedhore që janë lidhur në mirëbesim e me përafrim të programeve, ndër vite në Kosovë, janë dëshmuar si të suksesshme për vendin. Kështu të paktën ka deklaruar në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, opinionisti  Bekim Çollaku.

Sipas tij, rezultatet kanë qenë të dukshme, atëherë kur kanë bashkëqeverisur Partia Demokratike e Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“E kaluara ka dëshmuar se koalicionet paszgjedhore që janë bërë mbi bazën e mirëbesimit, përafrimit të programeve qeverisëse e kanë shtyrë agjendën shtetërore të Republikës së Kosovës dhe gjithmonë kanë sjellë avancim të Kosovës, si në aspektin e brendshëm edhe në aspektin e jashtëm. Dhe për këtë dëshminë më të mirë e kemi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Njohjet të gjitha këto janë rezultat i një bashkëqeverisje stabile dhe të mirëbesimit mes Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike”, tha Çollaku në Rubikon.

Sipas tij, qeverisja e Albin Kurtit, si e vetme gjatë këtyre katër viteve ka dëshmuar se është e dobët e ka ndikuar në stagnimin e vendit, brenda dhe në arenën ndërkombëtare.

“Është hera e parë që në historinë parlamentare të Kosovës, që vetëm LVV-ja ka qeverisur e vetme, pa i llogaritur ato koalicionet e minore, por pas fitimit të zgjedhjeve kur i kishte 51% të votave para katër viteve, ka vendosur të qeverisë e vetme. Një qeverisje e tillë e një partie të vetme ka dëshmuar një qeverisje të dobët, një performancë të dobët, një stagnim të Kosovës në çdo aspekt. Kjo ndërlidhet edhe me mungesën e një koalicioni të mirëfilltë me një subjekt tjetër parlamentar”, tha Çollaku.