Kosova ka mbi 180 mijë banesa të pabanuara, Prishtina kryeson listën. Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në regjistrimin e popullsisë të vitit 2024, 182.849 banesa në të gjithë vendin janë shpallur të pabanuara.
Kosova po ndërtohet me ritme të shpejta, por pas këtij bumi fshihet edhe një paradoks: mijëra banesa mbeten bosh. Investimet nga diaspora e kanë gjallëruar tregun, por, mësa duket, pa ndikim real në ekonomi.
Për 13 vjet, nga 2011-ta deri më 2024, numri i banesave dhe shtëpive në Kosovë është rritur për 43 për qind.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vendi, me rreth 1.6 milion banorë, ka 590 mijë banesa apo shtëpi të banueshme.
Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo i treti banor ka kulm mbi kokë.
Të dhënat e dala nga regjistrimi i popullsisë, vitin e kaluar, tregojnë po ashtu se mbi 96 për qind e familjeve janë pronare të shtëpive ku jetojnë.
Po ashtu sipas ASK-së, në Kosovë janë mbi 182 mijë të tilla, që përfshijnë banesat ende në ndërtim, të blera dhe të destinuara për shitje.
Top 3 komunat me më shumë banesa të zbrazëta:
- Prishtina – 25.195 banesa
- Prizreni – 16.842 banesa
- Ferizaj – 15.228 banesa
Përfaqësues të agjencive të patundshmërive dhe pronarë të kompanive ndërtuese kanë treguar se një përqindje e madhe e banesave të pabanuara, janë pronë e diasporës.
Këto pohime mbështeten edhe nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilave, diaspora zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja që bëhen kryesisht në patundshmëri.
Nga mbi 856 milionë euro investime të huaja vitin e kaluar, mbi 647 milionë u investuan në sektorin e patundshmërisë.
Vëzhguesit e këtij trendi thonë se mentaliteti i qytetarëve është që investimi në objekte banimi, siguron zgjidhje afatgjate për mirëqenien e familjes.
Çmimet e banesave në Kosovë filluan të rriten në vitin 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregjet ndërkombëtare që i shkaktoi pandemia COVID-19.
Ky trend vazhdoi edhe gjatë vitit 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Me rritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, banesat u shtrenjtuan mbi 20 për qind.
Çmimi i një metri katror të banesave në Prishtinë, aktualisht, sillet nga 1.000 deri në 2.500 euro – varësisht nga lagjja dhe kompania ndërtuese.
Në komunat më të vogla, ndërkaq, arrin deri në 800 euro.
Të dhënat e ASK-së tregojnë, po ashtu, për më pak shitje të banesave.
Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore, në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 janë shitur vetëm 1.628 banesa në të gjithë Kosovën.
Ky numër ishte dukshëm më i ulët krahasuar me 4.967 sa ishin shitur gjatë gjithë vitit 2022 dhe 6.561 në vitin 2021.
Komuna e goditur më së keqi ishte ajo e Gjilanit me mbi 90 mijë banorë, ku në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 ishin shitur vetëm gjashtë banesa.
Për gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe për vitin 2024, ASK-ja nuk ka publikuar shifra për numrin e banesave të shitura.
Në Kosovë, paga mesatare është rreth 570 euro në muaj.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në vend ndahet për blerjen e artikujve ushqimorë. Madje, pjesa më e madhe e ekonomive familjare e kanë problem të përballojnë ndonjë shpenzim të papritur mbi 200 euro.
Shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 10 për qind, kurse në mesin e të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç është gati 20 për qind.
Kosova mbetet skajshmërisht e varur nga importi i mallrave, por edhe nga remitencat, vlera e të cilave arrin në mbi 1 miliard euro në vit.
Ky numër i lartë i banesave të zbrazëta ngre shqetësime mbi shfrytëzimin e hapësirave dhe sfidat e strehimit në Kosovë. Ndërkohë, regjistrimi i fundit evidentoi një popullsi prej 1.602.515 banorësh në vend. /Demokracia.com/.