Në mes të inflacionit rraskapitës, shumë kosovarë po përballen edhe me mashtrime e fryrje çmimesh, marrëveshje të ndaluara mes bizneseve për rritje artificiale të çmimeve dhe me shtetin që lejon pandëshkueshmërinë ndaj abuzuesve.
Viti 2025 ka sjellë një tjetër valë të rritjes së çmimeve në Kosovë. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin nëntor inflacioni vjetor arriti në 5.3%, ndërsa çmimet e energjisë elektrike u rritën me 16.1% në prill. Ky presion ekonomik vlerësohet se ka krijuar terren të përshtatshëm që supermarketet të manipulojnë çmimet sipas vullnetit të tyre.
Shumë qytetarë raportojnë për një sërë keqpërdorimesh të përditshme në supermarkete, të cilat shpesh kalojnë pa reagim institucional. Një nga praktikat më të shpeshta janë të ashtuquajturat “aksione”.
Avniu, 66-vjeçar nga Prishtina, thotë se produktet bazike në Kosovë kushtojnë më shtrenjtë se në vende si Gjermania, Franca apo Italia, dhe ai beson se kjo vie si pasojë e abuzimeve të ndryshme.
“Kjo është absurde dhe ofenduese për konsumatorin”, shprehet ai, duke shtuar se zhgënjimi ndaj mos reagimit shtetëror po rritet çdo ditë.
Ai thotë se është konsumator i përditshëm i dy prej marketeve më të mëdhaja në Prishtinë, dhe tregon se në vitin e fundit ka identifikuar shumë shkelje.
“Jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët po përballen me mashtrime, me abuzime të llojllojshme, si dhe me çmime të papërballueshme, dhe shteti gjithmonë po mungon”, ankohet Avniu.
Përveç kësaj, ai thotë se ka hasur shpesh edhe në produkte me afat të skaduar, çmime të ndryshme në raft dhe në arkë, si dhe manipulime të tjera.
Edhe Sevdia, 45 vjeçare, banore në Kodrën e Trimave në Prishtinë, ankohet për të njëjtat shqetësime për marketet në Prishtinë. Ajo thotë se sidomos këtë vit, çmimet kanë shkuar “në qiell”.
Inflacioni si faktor nxitës i abuzimeve
Gjatë këtij viti, sidomos nga muaji korrik e këndej, inflacioni në Kosovë ka shënuar rritje të dukshme. Norma e inflacionit arriti në 4.3% në korrik, 4.5% në gusht, 4.7% në shtator, 5.1% në tetor dhe 5.3% në nëntor, krahasuar me periudhat e njëjta të vitit paraprak.
Këto luhatje të vazhdueshme kanë ngushtuar ndjeshëm fuqinë reale blerëse të familjeve dhe kanë rritur presionin ekonomik.
Këtë rënie të fuqisë reale blerëse e ka ilustruar edhe ekonomisti Edison Jakurti. Ai shpjegon se, ndonëse në letër paratë nuk ndryshojnë, vlera e tyre reale bie ndjeshëm me rritjen e çmimeve.
Sipas analizës së tij, 100 euro të vitit 2019, që në vitin 2014 do të kishin vlerë reale rreth 105 euro, në vitin 2025 vlejnë vetëm rreth 78 euro. Kjo do të thotë se ajo që në vitin 2019 blihej me 100 euro, sot kushton afërsisht 128 euro.
Sipas Jakurtit, inflacioni ka gërryer ndjeshëm fuqinë blerëse në Kosovë gjatë 3–4 viteve të fundit, duke e bërë konsumatorin edhe më të ekspozuar ndaj rritjeve arbitrare dhe abuzimeve me çmime në treg.
Një nga faktorët kryesorë të inflacionit të lartë shihet edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike me 16.1% në prill të këtij viti, i cili, sipas ekonomistëve, ka ndikuar drejtpërdrejt në koston e prodhimit dhe në zinxhirin e furnizimit, veçanërisht për produktet bazike.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, vlerëson se barra më e rëndë e këtyre rritjeve bie mbi familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilat janë më të ndjeshme ndaj goditjeve të papritura të çmimeve.
Sipas raportit të Bankës Botërore për vitin 2024, të cituar edhe nga Instituti Riinvest në një raport për “Rrugëtimin ekonomik të Kosovës (2025)”, rritja ekonomike e parashikuar për vendet e Ballkanit Perëndimor për vitet 2024 dhe 2025 është 3.3% dhe 3.5%. Megjithatë, çmimet, veçanërisht ato ushqimore, mbesin të ngritura.
Pandëshkueshmëria ndaj abuzuesve
Sipas Selatin Kaçanikut, një prej aktivistëve për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë, ankesat më të shpeshta që qytetarët paraqesin kundër supermarketeve të mëdha lidhen me lojërat me çmime, sidomos ndryshimet e shpeshta dhe të pajustifikuara të tyre, dyshimet për abuzim me afatet e skadencës, si dhe mashtrimet me peshë, sasi, vëllim dhe përbërës të deklaruar.
Për Kaçanikun, problemi kryesor nuk është mungesa e ligjeve por dështimi i institucioneve mbikëqyrëse për t’i zbatuar ato. Ai thekson se agjencitë përgjegjëse – përfshirë Autoritetin e Konkurrencës, inspektoratet e tregut dhe mekanizmat e tjerë rregullatorë – shpesh nuk veprojnë as ex officio, ndonëse mediat dhe konsumatorët ofrojnë prova të mjaftueshme për abuzime të përsëritura.
“Kur nuk veprojnë, bëhen pjesë e problemit”, thotë qartazi ai.
Mospërgjegjshmëria institucionale, sipas tij, i ka lënë qytetarët “të pambrojtur dhe të vetëm” në procesin e ankesave, madje edhe në gjykata, ku konsumatori nuk ka përfaqësim, këshillim apo lehtësim procedural. Për më tepër, ai thekson se strukturat shtetërore, përfshirë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, shpesh janë të politizuara, të paqëndrueshme ose jo-funksionale, duke e bërë mbrojtjen e konsumatorit një proces formal, por jo real.
Marrëveshjet e ndaluara dhe rritja e çmimit të bukës
Rasti i çmimit të bukës përbën një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si presioni i inflacionit të brendshëm, i kombinuar me mungesën e ndëshkimit institucional, krijon terren për koordinim çmimesh dhe abuzim me konsumatorin. Në fillim të vitit 2024, e më pas sërish në muajin prill, dhjetëra furra në Gjakovë dhe Prishtinë rritën çmimin e bukës në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën masë, duke ngritur dyshime serioze për marrëveshje të ndaluara mes operatorëve ekonomikë.
Për më tepër, rasti i bukës ka nxjerrë në pah një mospërputhje të theksuar mes arsyetimeve të përdorura nga furrtarët dhe realitetit ekonomik. Ndërsa shtrenjtimi u justifikua kryesisht me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, të dhënat tregojnë se çmimi i miellit – lënda kryesore e prodhimit – nuk kishte pësuar rritje proporcionale që do ta arsyetonte një ngritje të njëkohshme dhe uniforme të çmimit të bukës.
Këto zhvillime përkojnë me atë që ekonomisti Edison Jakurti e ka cilësuar si “inflacion i prodhuar brenda vendit”. Sipas tij, mospërputhja mes rënies së çmimeve të importit dhe rritjes së çmimeve përfundimtare për konsumatorin tregon se presioni inflacionar nuk buron nga faktorë të jashtëm, por nga sjellja e brendshme e tregut.
Pas reagimeve të qytetarëve dhe raportimeve të mediave, Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës (AKRK) konfirmoi publikisht se kishte identifikuar sjellje të koordinuara dhe ekzistencën e marrëveshjeve të ndaluara në këtë sektor. Autoriteti njoftoi se kishte nisur hetime ndaj dhjetëra furrave dhe se rasti ishte pjesë e një monitorimi më të gjerë që përfshinte mbi 20 produkte bazike në treg.
Në përgjigjet e dhëna për Buletini Ekonomik, AKRK pranoi se kishte vepruar kryesisht në mënyrë “ad-hoc”, pas raportimeve të mediave apo sinjalizimeve nga Inspektorati i Tregut, por pa dhënë sqarime të detajuara për përfundimin e hetimeve.
Megjithatë, pavarësisht konstatimit zyrtar të shkeljeve, nuk u ndërmor asnjë masë ndëshkuese konkrete ndaj operatorëve të përfshirë. Kjo ndodhi edhe pse Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës parasheh gjoba deri në 10% të qarkullimit vjetor për marrëveshje të ndaluara dhe sjellje karteliste. Në mungesë të sanksioneve, çmimi i bukës mbeti i ngritur, ndërsa konsumatori vazhdoi ta paguajë koston e re ‘në heshtje’.
Reagimi institucional: mes teorisë dhe realitetit
Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit (DMK), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe Inspektorati i Tregut, janë institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe kontrollin e tregut. Megjithatë, puna e tyre shpesh vlerësohet si e vonuar dhe me ndikim të kufizuar.
Të dhënat e DMK-së tregojnë se gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e numrit të ankesave krahasuar me vitin paraprak. Vetëm nga janari deri në tetor 2025, janë regjistruar gjithsej 948 ankesa për abuzime me çmime nëpër markete, krahasuar me 897 ankesa në vitin 2024, rreth 1 mijë ankesa në vitin 2023 dhe 1013 ankesa në vitin 2022.
Këto shifra dëshmojnë se pakënaqësia e konsumatorëve mbetet e lartë, ndërsa në vitin 2025 është vërejtur një rritje e ndjeshme e raportimeve. Megjithatë, pavarësisht deklarimeve se ankesat pranohen përmes platformës elektronike, e-mailit dhe fizikisht në MINT, në praktikë platforma elektronike e DMK-së ka qenë jashtë funksionit për një periudhë të gjatë, me arsyetimin e problemeve të sigurisë.
Verifikimi i faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale të DMK-së tregon se postimet e fundit publike datojnë nga viti 2022, çka dëshmon mungesë të theksuar të komunikimit publik dhe informimit të rregullt të qytetarëve. Në komente, qytetarët raportojnë vazhdimisht se platforma e ankesave është jofunksionale, se është e vështirë të kontaktohen numrat zyrtarë dhe se përgjigjet me e-mail vonohen ose mungojnë.
E mungesa e një platforme funksionale e vështirëson ndjeshëm ushtrimin e së drejtës së ankesës, e cila është e garantuar me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Për më tepër, procedurat kërkojnë që ankesat të shoqërohen me dokumentacion si kupon fiskal apo dëshmi të tjera, çka e bën procesin edhe më të ndërlikuar për qytetarët, sidomos në kushtet kur kanalet digjitale nuk funksionojnë dhe paraqitja fizike kërkon kohë dhe mjete shtesë.
Për shkak të këtyre pengesave, një pjesë e rasteve të abuzimeve mund të mbeten edhe të pa raportuara. Sipas procedurave zyrtare, vetëm ankesat e pranuara dhe të kompletuara nga DMK i përcillen Inspektoratit të Tregut për veprim, çka nënkupton se bllokimi i platformës ka pasoja direkte në mbrojtjen reale të konsumatorit.
Buletini Ekonomik i ka drejtuar pyetje edhe Inspektoratit të Tregut lidhur me rastet e trajtuara dhe masat e ndërmarra, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka sqaruar për Buletinin Ekonomik se nuk ka mandat për rregullimin e çmimeve individuale në treg apo për ndërhyrje në raste të ndryshimit të çmimeve nga rafti në arkë. Mandati i tij kufizohet në hetimin e marrëveshjeve të ndaluara, sjelljeve të koordinuara dhe abuzimit me pozitë dominuese.
Megjithatë, AKRK ka deklaruar se pas rritjeve të fundit të çmimeve ka intensifikuar monitorimin e tregut dhe se për vitin 2025 ka prioritet analizën e mbi 20 produkteve bazike. Pavarësisht kësaj, Autoriteti nuk ka ofruar të dhëna konkrete mbi numrin e rasteve të hetuara apo mbi masat sanksionuese të ndërmarra.
Sipas AKRK-së, bashkëpunimi me Inspektoratin e Tregut realizohet përmes shkëmbimit të informacioneve dhe inspektimeve të përbashkëta, sidomos kur ekzistojnë dyshime për koordinim çmimesh. Megjithatë, për rastet e mashtrimit brenda një marketi të vetëm, Autoriteti sqaron sërish se nuk ka kompetencë ndërhyrjeje.
Si rrjedhojë, abuzimet me çmime në supermarketet e Kosovës dhe mungesa e reagimit institucional vazhdojnë të krijojnë një cikël të mbyllur, ku konsumatori mbetet viktima finale.










