Çmimet e shportës bazë në rrjedhë të frikshme: Çka ndodhi me mishin?

Ka një lloj inflacioni që mund të lexohet në grafikë, dhe një tjetër që qytetarëve u del përpara çdo ditë, që blihet shumë shpesh: i ftohtë, i prerë në kilogramë – mishi. Të dhënat mujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vendosin këtë kategori në një trajektore dyshifrore në baza vjetore. Vetëm nga të dhënat nga qershori deri në nëntor 2025, rritja vjetore e çmimeve të mishit qëndron mes 12.1 për qind dhe 13.7 për qind.

Në të njëjtën periudhë, inflacioni i përgjithshëm (IHÇK, “Gjithsej”) lëviz rreth 4.3 për qind dhe 5.3 për qind. Me fjalë të tjera, mishi po shtrenjtohet afërsisht 2.4–3 herë më shpejt se ritmi mesatar i çmimeve dhe shpesh me një diferencë prej 7–9 pikë përqindjeje.

Në bazë mujore, mishi shënon rritje të përsëritura 0.2 për qind – 1.4 për qind. Rritjet nuk duken dramatike nëse merren të izoluara, por, sipas raporteve, ato janë akumuluar, duke krijuar një ngritje graduale të çmimit të këtij produkti që rrallë ndërpritet.

Raporti më i interesant i këtyre muajve është ai i shtatorit: kur indeksi i përgjithshëm shënon rënie mujore (-0.2 për qind), mishi prapë rritet (+0.2 për qind). Ajo çfarë ndodh me mishin dhe disa produkte të tjera bazike, shpërfaqin qartazi shenjë të “ngurtësisë” së çmimeve në artikuj bazë, ku rëniet në pjesë të tjera të shportës nuk përkthehen domosdoshmërisht në lehtësim për produktet e konsumit të përditshëm.

Trajektorja e indeksit: rritje graduale por e pandalshme e çmimit

Indeksi i mishit kalon nga 162.1 në Qershor në 166.7 në Nëntor. Kjo nënkupton rreth +2.8% rritje brenda kësaj periudhe gjashtëmujore, pa llogaritur efektet e mëhershme.

Rritja më e theksuar e çmimeve u evidentua në Nëntor 2025. Të dhënat e ASK-së tregojnë për një rritje mujore prej 1.1%, fakt që ndikoi në arritjen e normës vjetore të inflacionit në 13.7%, niveli më i lartë për këtë periudhë raportuese.

Për herë të parë në seritë kohore të analizuara, çmimi mesatar i mishit të viçit tejkaloi pragun e 12 eurove, duke u tregtuar me 12.01 €/kg. Njëkohësisht, mishi i gjedhit pa eshtra shënoi rritje duke arritur vlerën 11.02 €/kg.

Tabela e mëposhtme pasqyron ecurinë krahasuese të inflacionit vjetor dhe ndryshimeve mujore të çmimeve të mishit:

Muaji (2025) Rritja Vjetore Rritja Mujore Çmimi Mesatar (Viçi 1kg)
Qershor 12.8% 1.4% 11.57 €
Korrik 12.7% 0.5% 11.67 €
Gusht 12.4% 0.3% 11.65 €
Shtator 12.1% 0.2% 11.73 €
Tetor 12.3% 0.7% 11.81 €
Nëntor 13.7%  1.1% 12.01 €