Çmimet BRIT largohen nga Londra pas 46 vitesh – ceremonia zhvendoset në Mançester

Për herë të parë në historinë e tyre 46-vjeçare, Çmimet BRIT nuk do të mbahen në Londër.

Ceremonia ikonike e muzikës britanike do të zhvillohet në Mançester, në arenën më të re dhe moderne të qytetit – Co-op Live – duke filluar nga viti 2026 dhe për të paktën tre vjet.

Lajmi u konfirmua nga MailOnline, ndërsa vendimi për zhvendosjen është përshkruar si përpjekje për të afrur më shumë audiencë jashtë Londrës, por edhe si masë për ulje kostosh, pasi organizimi në kryeqytet është bërë gjithnjë e më i shtrenjtë, shkruan DailyMail.

Kryetari i Sony Music UK, Jason Iley, tha se zhvendosja në Mançester – një qytet me një trashëgimi të jashtëzakonshme muzikore – do t’i japë ceremonisë një energji të re.

Kryebashkiaku i Mançesterit të Madh, Andy Burnham, e quajti këtë një fitore për qytetin dhe “kryeqytetin kulturor të Britanisë”.

Megjithatë, disa figura të industrisë muzikore shprehën shqetësime se zhvendosja do të sjellë më pak pjesëmarrës dhe do të rrisë shpenzimet për artistët dhe ekipet e tyre me bazë në Londër.

Gjithsesi, organizatorët shpresojnë se kjo lëvizje do të sjellë më shumë investim te vetë artistët dhe do të hapë një kapitull të ri për ngjarjen më të madhe të muzikës britanike.

Ceremonia e vitit 2026 do të transmetohet në ITV1, ITVX dhe STV më 28 shkurt dhe pritet të sjellë të njëjtën shkëlqim, spektakël dhe momente të paharrueshme që kanë shënuar dekadat e kaluara të BRITs.